Sport

Futsall, Kosova barazon me Letoninë në miqësoren e dytë

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka barazuar në miqësoren e dytë me Letoninë. Ndeshja u luajt në qytetin e Ogres.

Kosova e Letonia të shtunën luajtën baras 3:3, ndonëse “Dardanët” patën epërsinë e dy golave deri në sekondat e fundit.

Ndeshjen e parë miqësore, Kosova të premten e fitoi me rezultatin 5:4 në një ndeshje shumë interesante.

Edhe më dramatik ishte dueli i së shtunës.

Mërgim Dervishaj nga afërsia e shënoi golin e vetëm për Kosovën në pjesën e parë, dhe me rezultatin 1:0, skuadrat shkuan në pushim.

Me të nisur pjesa e dytë, Kosova arriti t’i shënojë edhe dy gola tjerë.

Melos Kelmendi shënoi me gjuajtje të saktë nga distanca për 2:0, kurse Drilon Maxharraj realizoi për 3:0, pas një aksioni shumë mirë të ndërtuar, 17 minuta pa u mbyllur ndeshja.

Rikthimi i Letonisë nisi në 11-të minutat e fundit.

Fillimisht, Miks Babris e ngushtoi epërsinë në 3:1 pas një kundërsulmi të shpejtë.

Kapiteni Germans Matjushenko shënoi pas gabimit të portierit Bajram Ramadani, që tentoi të realizonte nga porta e tij.

Rezultati final 3:3 u vendos tre sekonda pa u mbyllur i gjithë takimi.

Andrejs Baklanovs shënoi nga afërsia.

Për Kosovën ishin dy miqësore tjera të suksesshme me selektorin Agon Ramadani.

Letonia dhe Lituania do të jenë nikoqire të Evropianit 2026.