Përfaqësuesja e Kosovës të shtunën e ka mposhtur me vështirësi Lituaninë me rezultatin 2:1. Ndeshja u zhvillua në Kaunas dhe i takoi Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova nga një gol e shënoi në të dyja pjesët e ndeshjes.
Për 1:0, realizoi Edon Zhegrova me asistimin e Florent Muslijës në minutën e 20-të.
Në minutën e 65-të, Ermal Krasniqi shënoi golin e dytë pas një aksioni të rrjedhshëm dhe veprim të shkëlqyeshëm individual. Për Krasniqin ishte goli i parë në fanellën e Kosovës.
Lituania golin e vetëm e realizoi me mesfushorin Paulius Golubickas në minutën e 84-t, pas gabimit të portierit Amir Shaipi, i cili sot luajti nga minuta e parë në vend të Arijanet Muriq.
Lituanisë iu anulua edhe një gol në minutën e 34-të për shkak të pozitës jashtë loje.
Kosova ndeshjen e ardhshme e ka të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Qipros nga ora 20:45.
“Dardanët” janë në pozitën e dytë në tabelë me gjashtë pikë.
Në grup është edhe Rumania, skuadër me të cilën Kosova u mposht 3:0 në Prishtinë.
