Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e sallës e ka fituar ndeshjen e parë miqësore me përfaqësuesen e Letonisë.
“Dardanët” e drejtuar nga selektori Agon Ramadani fituan të premten me rezultatin 5:4, me rikthim të rezultatit.
Yll Mazreku, Drilon Maxharraj dhe Ramadan Alaj i shënuan golat për Kosovën, ndërsa për Letoninë realizuan Edgards Tarakanovs dhe Germans Matjushenko.
Tarakanovs i shënoi të dy golat në pjesën e parë për Letoninë që krijoi epërsi 2:0.
Por, Mazreku, një minutë pa u mbyllur pjesa e parë, shënoi për mrekulli për 2:1.
Pak çaste më vonë, edhe Maxharraj shënoi me gjuajtje të fuqishme për barazimin e rezultatit në 2:2.
21 sekonda pa u mbyllur pjesa e parë, kapiteni Ramadan Alaj, pas veprimit të mirë individual, realizoi nga distanca për epërsinë e Kosovës, 3:2.
Matjushenko i barazoi shifrat në fillim të pjesës së dytë në 3:3.
Maxharraj u kundërpërgjigj me një tjetër shënim, për 4:3, kur kishin mbetur edhe 16-të minuta lojë deri në fund.
Kapiteni Alaj pesë minuta para fundit, realizoi për 5:3 pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në minutën e fundit të ballafaqimit, Tarakanovs kompletoi “hat-trickun” për rezultatin përfundimtar, 5:4.
Kosova dhe Letonia do të zhvillojnë tjetër miqësore të shtunën.
Letonia, bashkë me Lituaninë, do të jenë nikoqire të Evropianit 2026.