Sport

Futbollisti me prejardhje shqiptare largohet nga Rusia

Bernard Berisha ka luajtur tjetër ndeshje të dielën në Rusi. Por nga ky vend së fundi është larguar një futbollist me prejardhje shqiptare. Bëhet fjalë për reprezentuesin e Malit të Zi, Sead Hakshabanoviq. Hakshabanoviq ishte pjesë e Rubin Kazanit dhe ka shfrytëzuar vendimin e FIFA-s lidhur me lojtarët e huaj që janë pjesë e klubeve ruse. FIFA ka vendosur që lojtarët e huaj mund të pezullojnë kontratat që i kanë me klubet e Rusisë dhe të firmosin me skuadra nga vendet e tjera. Ky vendim u mor për shkak të luftës në Ukrainë.

Hakshabanoviq e ka bërë pikërisht këtë. Ka pezulluar kontratën me Rubinin. Sipas njoftimit të klubit rus, kontrata me Hakshabanoviqin është pezulluar deri në verën e këtij viti.

Hakshabanoviq është i lindur në Suedi. 22-vjeçari luan në krahun e majtë, ndërsa pjesë e Rubin Kazanit ishte prej majit të vitit të kaluar. Karrierën si senior e nisi te Halmstadi në Suedi. Në vitin 2017 u transferua te West Hami. Luajti si huazim te Malaga në Spanjë dhe më pas te Norrkoepingu në Suedi. Ndërkohë firmosi kontratë me Norrkoepingun, kurse vjet u transferua te Rubin Kazani. Hakshabanoviq ka luajtur për U17 e U19 të Suedisë. Në vitin 2017 vendosi për Malin e Zi, ndërkohë që në konkurrencë për të siguruar shërbimet e tij ishte edhe Kosova. Deri më tani ka bërë 18 paraqitje për Malin e Zi dhe ka realizuar një gol.

Ai ka njoftuar se do të udhëtojë për në Suedi për të qëndruar pranë familjes. Nuk e ka përjashtuar mundësinë që të firmosë me ndonjë klub në Suedi.

“Kam mësuar se në botën e futbollit nuk bën asnjëherë t’i mbyllësh dyert. Allsvenskan është liga ku jam rritur, liga që ka ndikuar në zhvillimin tim dhe më ka bërë lojtari që jam sot”, ka thënë Hakshabanoviq për mediat në Suedi.

Hakshabanoviq ka treguar se nuk ka vendosur ende për të ardhmen, por fillimisht dëshiron të qëndrojë pranë familjes.

Hakshabanoviq nuk ka dashur të flasë për luftën. Është fokusuar në futboll.

“Deri më tani ishte çdo gjë normale për mua. Futbolli po luhet në Rusi, kemi luajtur si zakonisht. E kam ndier mungesën e shtëpisë. Nuk jam politikan dhe vërtet nuk e kuptoj çka po ndodh. Gjëja e vetme që dua është të luaj futboll dhe jam vërtetë i mirë në këtë”, ka shtuar Hakshabanoviq së shpejti do të grumbullohet me Malin e Zi për ndeshjet e këtij muaji.

Edhe disa lojtarë të tjerë të huaj kanë vendosur të largohen nga klubet ruse pas vendimit të FIFA-s. Por numri madh i tyre kanë vendosur të mbesin në Rusi, ku kampionati po zhvillohet normalisht.

Akhmat Grozny, skuadra nga Çeçenia, të dielën luajti ndeshje kampionale me Uralin. Futbollisti kosovar, Bernard Berisha, njëri prej më të dashurve nga tifozët e Groznyt, luajti deri në minutën e 81-të në barazimin pa gola.

Se Hakshabanoviq është me prejardhje shqiptare, për KOHËN kishte bërë të ditur ish-selektori i Kosovës, Albert Bunjaki, në maj të vitit 2017. Bunjaki po ashtu ka jetuar në Suedi dhe kishte shprehur interesim që Hakshabanoviqin ta grumbullonte me Kosovën.

“Kam folur me prindërit e Seadit. Seadi është nga një familje shqiptare nga Mali i Zi, përkatësisht nga Malësia. Në fakt, mbiemri i kësaj familjeje është Hakaj. Ai, po ashtu, e ka nënën nga Kosova, nga Mitrovica, dhe kjo nënkupton se mund të luajë për Kosovën, nëse vendos kështu. Anel Rashkaj më ka propozuar fillimisht këtë lojtar dhe më pas e kam përcjellë. Unë jam i interesuar dhe pres momentin të bëhem aktiv. Janë të interesuara edhe Suedia dhe Mali i Zi dhe të shohim si do të rrjedhin gjërat”, kishte thënë Bunjaki.

Gjërat nuk rrodhën në atë mënyrë që Hakshabanoviq të vendoste për Kosovën. Ai që nga atëherë është pjesë e Malit të Zi dhe shpesh luan titullar.