Sport

Futbollisti i Zuerichut mund të jetë opsion interesant për mbrojtjen e Kosovës

Zuerichu është lider në Superligën e Zvicrës në futboll. Lindrit Kamberi është prej liderëve të mbrojtjes te kjo skuadër. Dhe 24-vjeçari mund të jetë një opsion interesant edhe për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Kamberi, i lindur pikërisht në Zuerich, nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese seniore. Ka luajtur për U18 dhe U20 të Zvicrës, dhe kështu e ka opsionin të zgjedhë përfaqësuesen A. Natyrisht nëse merr ftesë.

Kosova nuk është se ka shumë opsione të qëndrueshme për qendër të mbrojtjes, sidomos pas lëndimit të kapitenit Amir Rrahmani. Për shkak të lëndimit mungon edhe Ismajl Beka që nuk do të kthehet gjatë në fushat e blerta. Të tjerët reprezentues në fundjavë ishin rezervistë në skuadrat e tyre. Ndërkohë Kamberi kompletoi një tjetër ndeshje për Zuerichun. Ai ka startuar në të gjitha ndeshjet e deritashme te Zuerichu. Nuk ka kompletuar vetëm një, në të cilën u zëvendësua në minutën e 87-të, kur rezultati ishte 4:1 në favor të Zuerichut.

“Gjërat po shkojnë mirë me Zuerichun për momentin. Unë dua të jem dhe të mbetem një pjesë e rëndësishme e skuadrës. Sa u takon përfaqësueseve, sapo të vijë koha dhe të marr një ofertë zyrtare, do të marr një vendim”, ka thënë Kamberi për KOHËN.

Ai kështu ka lënë të hapur derën për Kosovën. Por, ndoshta edhe për ndonjë përfaqësuese tjetër. Zvicrën, për shembull. Nuk është deklaruar i prerë, por as përjashtues.

A do ta shqyrtonte Kamberi një ofertë nga Kosova?

“Natyrisht që ofertën do ta shqyrtoja. Çdo ofertë duhet të shqyrtohet patjetër”, ka vazhduar Kamberi me përgjigjen e përgjithësuar.

Me një disponim të tillë, një ofertë për Lindrit Kamberin do të ishte me vend. Natyrisht nëse ai vlerësohet i vlefshëm nga përgjegjësit te Kosova dhe shtabi teknik i drejtuar nga Primozh Gliha. Kosova nuk e ka luksin të “përjashtojë” një mbrojtës që luan rregullisht te lideri i kampionatit zviceran.

Nga FFK-ja kanë konfirmuar kontaktin me Kamberin. Por, kanë thënë se nuk ka ndonjë vendim final.

Superliga e Zvicrës vazhdon të ofrojë shumë lojtarë për Kosovën. Betim Fazliji është pjesë e St. Gallenit, Kreshnik Hajrizi e Luganos. Te Lugano luan edhe Shkëlqim Vladi, që për herë të dytë nuk iu përgjigj ftesës së Kosovës për shkak të lëndimeve të pësuara. Vladi nuk ka debutuar ende dhe e ka të hapur mundësinë për ndërrim të përfaqësueses. Natyrisht, nëse ka ftesë e pos saj edhe vullnet. E kaluara dëshmon që ndërrimi i përfaqësueses asnjëherë nuk bën të përjashtohet si skenar i mundshëm.