Sport

Futbollistet e Kosovës në Armeni për të reaguar pas humbjes më të thellë deri më tani

Prishtinë, 25 tetor – Pas humbjes së thellë të pësuar të enjten nga Belgjika në Leuven, futbollistet e Kosovës të hënën kanë udhëtuar për në Jereven, ku do ta luajnë ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Botërorin e vitit 2023. Humbja 7:0 nga Belgjika ishte më e thella e Kosovës deri më tani.

Kosova kërkon të reagojë menjëherë pas asaj disfate me rezultat të papritur. Reagimi synohet që të martën nga ora 16:00, kur luhet ndeshja me Armeninë.

Armenia ka humbur tri ndeshjet e deritashme në grupin F. Më 16 shtator humbi 10 në udhëtim nga Norvegjia. Por në shtëpi pësoi vetëm 1:0 nga Polonia, më 21 shtator. Të enjten në Tiranë humbi 5:0 nga Shqipëria. Kosova është e parafundit në grup me vetëm një pikë. Barazoi 1:1 me Shqipërinë, ndërsa më pas humbi 3:0 në shtëpi nga Norvegjia dhe të enjten nga Belgjika në udhëtim.

“Realisht ka qenë e paimagjinueshme që mund të pësojmë 7:0. Belgjika ka kualitet dukshëm më të lartë se ne, por kur luan me sistem 5:4:1, është pak e pashpjegueshme të pësosh 7:0. Kemi pasur raste të qindpërqindta e penallti të humbur. Dhe na ka ndodhur që dhjetë sekonda pas rasteve të mira të pësojmë gol. Mbrojtja, me portieren në qendër, kanë pasur një ditë të keqe. Rezultati ishte i rëndë, por lojë kemi bërë”, ka thënë për KOHËN, Afërdita Fazlija, selektore e Kosovës.

Ajo është e vetëdijshme se reagimi pas një humbjeje kaq të thellë nuk është i lehtë. Por është optimiste.

“Një humbje kaq të thellë është vështirë ta përballosh dhe të marrësh masat për të ecur tutje. Por besoj që ia kemi arritur. Sot e kemi zhvilluar stërvitjen zyrtare në stadiumin ku zhvillohet ndeshja, këtu në Jerevan të Armenisë. Dhe mendoj se ka optimizëm e gatishmëri”, ka shtuar Fazlija.

Ajo thotë se përparësi e Armenisë është përvoja më e gjatë në skenën ndërkombëtare. Ndërkohë thotë se individualisht lojtaret e Kosovës kanë më tepër cilësi. Fazlija thekson se si kundërshtarë, Armenia e Kosova janë të barabartë.

“Kemi pasur pak telashe në aeroport, pasi kemi ardhur në një vend që nuk na njeh. Por kemi arritur me kohë në stërvitje. Tani opsioni i vetëm që e mendoj është fitorja. Jam plotësisht e vetëdijshme se nuk do të jetë e lehtë. Por duhet të kthehemi me rezultat pozitiv”, ka shtuar selektorja e Kosovës.

Ajo e ka pranuar vështirë disfatën me Belgjikën, duke insistuar se paraqitja nuk ishte në përputhje me rezultatin. Thotë se në të kaluarën ka pasur ndeshje kur mezi kanë arritur në zonën e kundërshtarit. Ndaj belgeve kjo ka ndodhur shpesh dhe rastet nuk kanë munguar. Ndërkohë mbrojtja ishte e zbehtë dhe belget kanë shënuar rregullisht. Sipas Fazlijës, ka ndikuar edhe atmosfera impozante në stadium, ku ishin të pranishëm mbi 10 mijë shikues.

Por futbollistet do të mundohen ta lënë prapa dështimin në Belgjikë dhe të marrin tri pikët në sfidën në Armeni.

Shqipëria të martën luan ndaj Polonisë në udhëtim. Ndeshja luhet nga ora 19:45.