Në muajin e fundit Lionel Messi dhe shokët e tij tek Argjentina kanë sjellë sukses dhe unitet për tifozët e tyre. Suksesi i përfaqësueses është në kontrast të plotë me problemet ekonomike të vendit dhe peizazhin e polarizuar politik.
Vitet e krizës ekonomike rëndojnë shumë jetën e përditshme të njerëzve në vendin ku rreth 40 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri. Inflacioni dhe devalvimi i monedhës kanë shkatërruar kursimet dhe fuqinë blerëse të njerëzve të zakonshëm.
Megjithatë të dielën i gjithë vendi u mbulua me ngjyrat e Përfaqësueses së Argjentinës, ndërsa rivalitetet politike dhe sportive u vunë në një anë. 45 milionë njerëz festuan suksesin e parë në Kupë të Botës në 36 vjet. Ekspertët thonë se ngazëllimi nuk do të zgjasë.
“Ajo që ndodh është se sporti dhe veçanërisht futbolli në Argjentinë ka aftësinë të na bashkojë përmes emocioneve dhe kjo është shumë e rëndësishme për sa i përket simbolizmit kombëtar”, tha sociologu Rodrigo Daskal. “Por kjo nuk do të thotë se mund të transferohet me efikasitet në fusha të tjera”.
Të dielën, tifozët e rivalëve të Buenos Airesit, Boca Juniors dhe River Plate, ose Newell's Old Boys dhe Rosario Central të Rosarios, qëndruan krah për krah gjatë fitores emocionuese dhe nganjëherë torturuese me penallti kundër Francës në Katar.
“Ky pasion dhe ky unitet shpresojmë se do të shërbejë si shembull për të ardhmen dhe për të na bërë të kuptojmë se jemi më mirë së bashku”, tha mbrojtësi Nicolas Tagliafico.
Suksesi i ekipit dhe bashkimi i njerëzve ka krijuar një ndjenjë shprese te disa argjentinas.
“Nuk është për të harruar problemet tona, por për të na kujtuar se mund të bashkohemi dhe se kur jemi të bashkuar të gjithë shkojmë në të njëjtin drejtim”, tha Julio Berdun, 50-vjeçar. “Duhet ta mbyllim këtë përçarje që na bën kaq të ndarë si vend”.
Në të njëjtën kohë ka skepticizëm dhe lodhje që vjen nga dekada të premtimeve të pambajtura dhe ëndrrave të shkatërruara.
“Ne jemi kampionë bote, por asgjë më shumë. Unë duhet të shkoj në punë, të gjithë duhet të shkojnë në punë. Situata nuk do të ndryshojë, do të jetë si gjithmonë, vetëm se në fushën sportive ne jemi kampionë bote”, tha arkitekti Ricardo Grunfeld, 65-vjeçar.
Ajo që bëri jehonë te tifozët ishte angazhimi emocional i lojtarëve, i mishëruar në shkëlqimin e Messit, gëzimin e bashkëlojtarëve të tij, si dhe lotët e trajnerit Lionel Scaloni.
“Kjo skuadër luan për njerëzit, për tifozët argjentinas. Nuk ka ego individuale, të gjithë luajnë për ekipin dhe për vendin”, tha Scaloni.
Për dallim prej ekipit, klasa politike e Argjentinës paraqet të kundërtën dhe jo vetëm për shkak të marrëdhënieve të këputura mes qeverisë dhe opozitës. Administrata aktuale është shoqëruar nga një çarje gjithnjë në rritje midis presidentit Alberto Fernandez dhe zëvendëspresidentes dhe ish-udhëheqëses Cristina Kirchner.
“Ky ekip garues, efikas, modest dhe me atmosferë të mirë, është në kontrast me një klasë politike që lufton mes vete dhe nuk i përmirëson gjërat në vend”, tha analisti politik Carlos Fara. “Shoqëria është shumë e lodhur me këtë përçarje. Qytetarët ndihen sikur është një biznes politik dhe një pengesë për zhvillim. Unë nuk shoh që klasa politike të reflektojë për këtë. Me shumë mundësi, pasi të kalojë euforia, gjërat do të jenë përsëri njësoj. Problemet ekonomike janë afatgjata dhe fitorja e Kupës së Botës nuk e zbut këtë”.
Ai insiston se politika nuk duhet të përzihet në suksesin e Argjentinës në Kupën e Botës.
“Populli mendon se ky është një triumf për ekipin dhe vetë popullin dhe është më mirë që politika të qëndrojë jashtë”, tha Fara.
Heroi më i madh i futbollit të Argjentinës, i ndjeri Diego Maradona, i cili udhëhoqi përfaqësuesen drejt triumfit në Kupën e Botës në vitin 1986, ishte i zëshëm në mbështetje të kauzave të ndryshme të krahut të majtë të Amerikës Latine. Por skuadra aktuale është apolitike.
“Maradona u përfshi në politikë, por ky ekip qëndron larg saj”, tha Lucrecia Airaldi, 50-vjeçare, e cila punon në burimet njerëzore. “Ata mbajnë flamurin, përfaqësojnë të gjithë. Kjo është e mrekullueshme”.
Për shumë njerëz, fakti që asnjë forcë politike nuk do të përpiqet të përfitojë nga lavdia e ekipit të futbollit është në vetvete një fitore.
“Ky është një sukses sportiv, është një shembull për të gjithë fëmijët”, tha arkitekti Grunfeld.