Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbolli në Kolumbi, “arenë” e konfliktit

U deshën më shumë se një orë për të përfunduar pjesa e parë e ndeshjes në qytetin port të Kolumbisë, Barranquilla. Kjo ndodhi pasi ndeshja e javës së kaluar në kuadër të Copa Libertadores midis nikoqirit America de Cali dhe klubit brazilian Atletico Mineiro u ndërpre disa herë. Granatat tronditëse shpërthyen në rrugët pranë stadiumit, sirenat e policisë nuk ndaleshin dhe demonstruesit bërtisnin duke shprehur zhgënjimin e tyre. Lojtarët u detyruan të tërhiqeshin në zhveshtore derisa të largohej gazi lotsjellës.

Ndeshja e Copa Libertadores mezi e gjeti fundin, por me një krizë kombëtare në vazhdim, askush nuk u interesua për të. Që nga fundi i muajit prill, dhjetëra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër pabarazisë, dhunës policore dhe korrupsionit në Kolumbi. Më shumë se 40 njerëz janë raportuar të kenë vdekur dhe më shumë se 800 të tjerë janë plagosur gjatë kësaj periudhe.

“Pabarazia sociale është veçanërisht e madhe në Kolumbi. Edukimi, mjekësia, sistemi i taksave – njerëzit me të ardhura të ulëta janë në pozitë të pafavorshme kudo”, tha futbollistja kolumbiane dhe aktivistja Juliana Lausanne. “Njerëzit duan një jetë me dinjitet, por policia po sillet brutalisht ndaj tyre. Askush nuk po mendon për futbollin tani, sepse ka thjesht gjëra më të rëndësishme”.

Argjentina do ta organizojë Copa American

Katër ndeshje të garave kontinentale janë zhvendosur nga Kolumbia në Paraguai dhe Ekuador ditët e fundit. Shoqata e futbollistëve kolumbianë, Acolfutpro, i ka bërë thirrje FIFA-s të ndërhyjë.

Edhe Dhunë në finalen e Kupës së Kolumbisë, lëndohen 59 persona Futboll 7 muaj më parë Dhunë në finalen e Kupës së Kolumbisë, lëndohen 59 persona

“Derisa të zgjidhet situata e rendit publik, e cila prek të gjithë vendin dhe kërcënon mirëqenien tonë, ne ju kërkojmë që të mos caktoni më lojëra në Kolumbi”, thuhet në komunikatë.

Dhe, është plotësisht e mundur që liga kolumbiane nuk do të ketë arritur ta kurorëzojë një kampion deri në fillim të qershorit kur është paraparë të mbyllet ky sezon. Por, detyra më e madhe me të cilën ishte vendosur të përballej futbolli kolumbian nuk është më, pasi Konfederata e Futbollit e Amerikës së Jugut (CONMEBOL) njoftoi se e ka hequr Kolumbinë nga bashkorganizimi i turneut Copa America me Argjentinën. Ky turne fillon më 13 qershor dhe do të mbahet tërësisht në Argjentinë. Bëhet fjalë për një zhgënjim të madh për qeverinë në Bogota.

“Futbolli është një burim krenarie kombëtare në Kolumbi”, shpjegoi studiuesi britanik i Amerikës Latine, Peter Watson. “Fanella e ekipit kombëtar është një nga të paktat simbole që mund t’i kapërcejë ndarjet shoqërore, të paktën përkohësisht”.

Dëshmia më e mirë për këtë është se kolumbianët janë mbledhur pas ekipit të tyre kombëtar, duke kërkuar një ndjenjë të komunitetit dhe duke kërkuar të distancohen nga kriminelët, kartelet e drogës ose lëvizja e majtë FARC. Ashtu si krerët e qeverive të tjera para tij, presidenti aktual Ivan Duque po kërkon të bëjë një turne si Copa America pjesë të rrëfimit kombëtar. Por, për momentin, futbolli mund t’i thellojë ndarjet politike pas vendimit të CONMEBOL-it.

Kartelet e drogës dhe klubet e mëdha

Për të kuptuar se çfarë ndarjesh politike mund të ketë, mjafton të shikohet e kaluara në Kolumbi. Media kolumbiane kohët e fundit ka botuar histori në lidhje me përpjekjet e mëparshme të Kolumbisë për të organizuar turne të mëdha që u bënë simbol për krizat kombëtare. Kolumbia u zgjodh fillimisht për ta organizuar Kampionatin Botëror të vitit 1986, por në vitin 1982 problemet financiare çuan qeverinë të tërhiqej. Dhe Meksika ndërhyri duke marrë organizimin e këtij turneu. Në vitin 2001, Kolumbia u përpoq ta linte këtë traumë pas saj, duke pritur për herë të parë Copa American. Në atë kohë, Kolumbia ishte një forcë futbolli për t’u llogaritur, pasi ishte kualifikuar në Botërorin e vitit 1990, 1994 dhe 1998. Klubet e mëdha vendase, megjithatë, ishin infiltruar nga kartelet e drogës. Pas autogolit të tij në Botërorin e vitit 1994 kundër SHBA-së, lojtari kolumbian Andres Escobar u qëllua për vdekje. Katër vjet më vonë, futbollisti i Kolumbisë, Anthony de Avila, ua kushtoi një gol dy drejtuesve të organizatave të drogës të burgosur, që kishin financuar klubin e tij America de Cali.

Edhe Dhuna në tribuna ndërpret ndeshjen në Argjentinë Futboll 11 muaj më parë Dhuna në tribuna ndërpret ndeshjen në Argjentinë

“Kartelet donin ta kishin fjalën kryesore në përzgjedhjen e lojtarëve për Përfaqësuesen e Kolumbisë”, tha Juergen Griesbeck, themelues i “Streetfootballworld”, një organizatë joqeveritare që synon ta përdorë futbollin për të ndihmuar në ndikimin e ndryshimeve shoqërore. Griesbeck punoi në disa projekte të futbollit në Kolumbi në vitet ‘90. “Kërcënimet me vdekje dhe dhuna ishin pjesë e jetës së përditshme”, shtoi ai.

“Kupa e paqes”

FARC-u gjithashtu kërcënoi planet e Kolumbisë për të pritur Copa American në vitin 2001. Të vetëshpallurit anëtarë të organizatës “Forcat e Armatosura Revolucionare” kishin luftuar kundër shtetit kolumbian për gati 40 vjet. Ata kryen sulme dhe atentate që lanë dhjetëra-mijëra të vdekur dhe kthyen qindra-mijëra njerëz në refugjatë. Pak para turneut të vitit 2001, FARC-u lëshoi bomba dhe rrëmbeu Hernan Mejian, nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Kolumbisë. CONMEBOL-i donte ta anulonte turneun si rezultat i kësaj situate, por qeveria kolumbiane dhe sponsorët e turneut këmbëngulën që ai të mbahej siç ishte planifikuar. Për shkak të akteve kërcënuese të terrorizmit, Përfaqësuesja e Argjentinës dhe ajo e Kanadasë u tërhoqën, por Copa America u mbajt siç ishte planifikuar dhe Kolumbia e fitoi titullin. Presidenti i vendit në atë kohë, Andres Pastrana, foli për të si një “kupë paqeje”.

Miqësoret midis ish-armiqve

Në negociatat e paqes midis qeverisë dhe FARC-ut, të cilat filluan në 2012, Santos përdori futbollin për të promovuar takime dhe pajtime. Përfaqësuesja e Kolumbisë u kualifikua për Kupën e Botës të vitit 2014 dhe Ministria e Mbrojtjes tregoi filma të shkurtër të futbollit që shfaqeshin mbi zonat e xhunglës të kontrolluara nga FARC-u, së bashku me mesazhin: "Guerilë, mos harroni Kupën e Botës, demobilizohuni. Do ta kursejmë një vend për ty”.

Negociatorët e FARC-ut gjithashtu veshën fanellën e ekipit kombëtar gjatë bisedimeve të paqes. Ndeshjet miqësore midis armiqve prej shumë kohësh janë zhvilluar që nga armëpushimi i vitit 2016. OJQ-të e përdorin futbollin si një mënyrë për të ndihmuar në ndërmjetësimin e konflikteve. Por, paqja mbetet e brishtë. Kohë pas kohe, anëtarët e vjetër të FARC-ut kritikojnë qeverinë kolumbiane dhe bëjnë thirrje për rebelët. Protestat aktuale kundër pabarazisë sociale mund ta destabilizojnë më tej situatën.

Edhe Tifozë argjentinas përleshen me policinë pas humbjes Botërori 2026 5 d. më parë Tifozë argjentinas përleshen me policinë pas humbjes

“Politikanët mund ta përdorin futbollin për ta thirrur unitetin kombëtar”, tha Juliana Lausanne. “Por, ata gjithashtu mund ta përdorin atë për të manipuluar popullsinë”.

Shumë kolumbianë ende vuajnë nga efektet e pandemisë COVID-19; më shumë se 82,000 njerëz kanë vdekur nga virusi dhe vetëm 9 për qind e popullsisë së vendit me më shumë se 50 milionë kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Pra, përpara vendimit të CONMEBOL-it për t’ia marrë Kolumbisë bashkorganizimin e Copa Americas, shumë prej qytetarëve mesatarë të vendit ndoshta nuk do të interesoheshin për mbajtjen e turneut. Por, përsëri, ata do të vazhdojnë të veshin fanellën e verdhë kombëtare – të paktën gjatë protestave në rrugë.