Sydney, 31 korrik - Fitorja dramatike 2:1 e Kolumbisë ndaj Gjermanisë, dy herë kampiones botërore, në Sydney, ishte një nga befasitë më të mëdha të Kupës së Botës për futbolliste që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re.
Por, vendi i Amerikës së Jugut, Kolumbia, vendosi gjithashtu standarde të reja për tifozët në shfaqjen globale, të dielën. Regjistrimi më i fundit tregoi se ka vetëm rreth 38 mijë njerëz të lindur në Kolumbi që jetojnë në Australi. Dhe dukej sikur secili prej tyre ishte në stadiumin e futbollit të Sydneyt për ndeshjen kundër Gjermanisë. Pothuajse të gjithë me fanella të verdha, kolumbianët filluan të mblidheshin jashtë fushës fqinje të kriketit disa orë para fillimit të ndeshjes, duke u rënë borive, duke luajtur me daulle dhe duke valëvitur flamurin trengjyrësh të shtetit.
Një interpretim pasionant i himnit kolumbian dha tonin e mbrëmjes me brohoritjet dhe fishkëllimat pothuajse të vazhdueshme që arritën në kulm kur Manuela Vanegas shënoi golin e fitores në kohën shtesë.
“Është shumë emocionuese ta kemi Kolumbinë këtu në Sydney, në anën tjetër të botës”, tha tifozja e Kolumbisë, Sol Molinares. “Ishte e pabesueshme. Vajzat luajtën shumë mirë. Kjo është Kolumbia ime. Kjo është Kolumbia ime. Jam e lumtur dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë më tej. Mendoj se do ta fitojmë Kupën e Botës. Jam e sigurt. Ne po luajmë super mirë”.
Ndihmëstrajneri i Kolumbisë, Angelo Marsiglia, i freskët nga festimet e furishme pas ndeshjes, tha se ndihej sikur po luanin në shtëpi. Sipas tij, i tërë stadiumi ishte i mbushur me kolumbianë, të cilët i dhanë zemër ekipit për ta mposhtur Gjermaninë në fazën e grupeve.
“Ne e kemi ndjerë vazhdimisht përkrahjen e tifozëve, si para ndeshjes ashtu edhe pas saj. Ishte diçka e jashtëzakonshme”, është shprehur Marsiglia.
Edhe
E pritshme apo jo? Evropa dominon në Kupën e Botës
Edhe trajnerja e Gjermanisë, Martina Voss-Tecklenburg, pranoi se atmosfera e krijuar në tribuna pati ndikim tek futbollistet e saj. Voss-Tecklenburg ka thënë se nuk kanë pritur të mposhten nga Kolumbia, duke pasur parasysh se Gjermania është e dyta në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Kolumbia e 27-ta.
“Ne u përpoqëm të luanim mirë, por jam e sigurt se atmosfera ishte faktori vendimtar përse nuk e fituam këtë ndeshje. Ishte një atmosferë e mrekullueshme. Nuk e di se nga erdhën të gjithë tifozët kolumbianë. Ata ishin vërtetë një turmë e madhe dhe për këtë i komplimentoj. Nuk ishte lehtë për lojtaret tona që të luanin në atë atmosferë”, u shpreh ajo.
Kolumbia luan me Marokun në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, të enjten në Perth. Vetëm humbja me më shumë se tetë gola do ta eliminonte në fazën grupore. Aktualisht, Kolumbia është e para në Grupin H me gjashtë pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Gjermania dhe Maroku mbajnë pozitat dy dhe tre me nga tri pikë, ndërsa Koreja e Jugut është e fundit pa asnjë pikë.