(Daily Mail) – Pavarësisht përpjekjeve maksimale, Anthony Joshua nuk arriti të rimerrte titujt e kampionit të botës në kategorinë e rëndë. Joshua u mposht nga ukrainasi Oleksandr Usyk, të shtunën mbrëma në Arabinë Saudite.
Paraqitja e tij e mirë në ring mbeti në hije të veprimeve që i bëri pas luftës. Joshua ndër të tjera hodhi dy rripa të kampionit jashtë ringut, ndërsa mbajti një fjalim emocional e të pakontrolluar, për të cilin shumë e kanë tallur të dielën. Një pjesë e opinionit e kanë pranuar fjalimin e Joshuas, por ka pasur edhe shumë që e kanë tallur.
Zhvillime të tjera dramatike priten në garën e fuqishme për dominim në kategorinë e rëndë të boksit profesionist.
Usyk mban titujt në versionet WBO, IBF, IBO dhe WBA. Kjo do të thotë se ka shumë sfidues të detyrueshëm.
Apo ndoshta kampioni në versionin WBC, Tyson Fury, do të pajtohet për luftën që unifikon titujt e botës në kategorinë e rëndë, të parën në 19 vjetët e fundit.
Sa është real meçi Fury – Usyk?
Shumë real. Tyson Fury është pensionuar nga boksi profesionist në prill, pasi e mposhti Dillian Whyten në “Wembley”. Por ai nuk e liroi titullin në versionin WBC në asnjë moment, duke e lënë derën e hapur për një luftë për unifikim të titujve.
Një përballje të Furyt me Joshuan për të gjithë brezat e kampionit në kategori të rëndë, të gjithë e kanë dashur. Potencialisht do të ishte meçi më i madh në histori të boksit, sa u takon fitimeve.
Fury është shumë i interesuar për të qenë kampioni i vetëm në kategorinë e rëndë, pavarësisht kundërshtarit.
Edhe Usyk e kërkon një gjë të tillë.
“Nëse nuk boksoj me Tyson Furyn, nuk boksoj fare”, ka Usyk.
Britaniku Fury ka konfirmuar se do të kthehet nga pensionimi i supozuar për të boksuar ndaj Usykut. Fury ka thënë se ky do të jetë një meç shumë i shtrenjtë dhe ka kërkuar nga organizatorët e ngjarjeve të mëdha që të nisin punën.
Është meçi që e dëshirojnë të dy boksierët dhe që mund të sjellë të ardhura të mëdha. Duket pak e mundur që ai meç të mos organizohet.
Çka do të ndodhë me Joshuan?
Joshua ka sjellë situatë të re në boksin britanik dhe vazhdon të jetë prej yjeve më të mëdhenj të sportit. Opsionet për të pritet të jenë të bollshme. Ka një mori mundësish për 32-vjeçarin, duke nisur nga një duel me Joe Joyce.
Mund të pres po ashtu për një duel me fituesin e meçit Fury – Usyk, që mund të organizohet që në dhjetor.
Daniel Dubois dhe Dillian Whyte janë të tjerë kundërshtarë të mundshëm të Joshuas.
Megjithatë është lufta e tij me Deontay Wilder që njerëzit e duan më shumë. Amerikani kthehet në tetor ndaj Robert Helenius, kështu që mund të mos jetë gati për një duel me Joshuan në dhjetor. Me dy ish-kampionët e botës që vijnë pas humbjeve, një duel mes tyre do të ishte i kuptueshëm.
Sa duhet të presë Joshua për luftë për titull të botës?
Joshua ka dështuar të bëhet tri herë kampion i botës në Arabinë Saudite, por mund ta realizoj këtë në të ardhmen. Me shumë mundësi Usyk dhe Fury do të përballen. Ka shumë kuptim një meç i tillë. Nëse nuk ndodhë kjo, Usyk do të ketë shumë meçe të detyrueshme, ndërsa Fury duhet ta lirojë titullin në versionin WBC.
Marrëveshja e re e Anthony Joshuas me DAZN prej 84.5 milionë funte në vit, nënkupton që ai duhet të luftojë të paktën dy herë në vit. Joshua tashmë është deklaruar se dëshiron të luftojë tri herë në vitin 2023, pasi në vitet 2020 e 2021 kishte vetëm nga një duel.
Nëse Joshua paraqitet mirë në duelin e ardhshëm, ai mund të luftoi për titull sërish pas një viti. Opsion është të luftojë për titujt e unifikuar, por titujt mund të ndahen sërish mes boksierëve dhe Joshua do ta kërkojë rastin. Por është e domosdoshme që Joshua të kthehet me fitore.
Cilët janë sfiduesit e tjerë të mundshëm të Usykut?
Fury është sfidues natyral i Usykut, me titullin WBC që ka në pronë. Por Usyk ka shumë tituj në pronësi dhe organizatat e boksit kanë shumë sfidues për të.
Frank Warren e ka pozicionuar si kundërshtar të detyrueshëm Joe Joycen në WBO. Daniel Dubois ka titullin e rregullt në WBA dhe Usyk mund të përballet me të. Usyk ka titullin WBA Super.
Filip Hrgoviq tani është sfidues i detyrueshëm në IBF.
Emrat e tjerë të mëdhenj duhet të rreshtojnë disa fitore për të arritur te Usyk. Wilder ka luftë në tetor, ndërsa Andy Ruiz, Luis Ortiz e Joseph Parker mund të hyjnë së shpejti në garë, varësisht nga rezultati i dueleve të ardhshme.
A është ende opsion dueli Fury – Joshua?
Është e vështirë të besohet se kjo luftë nuk do të realizohet para fundit të karrierës së tyre. Çështja më shumë është se kur.
AJ dhe Fury ishte planifikuar të përballen në Arabinë Saudite për unifikim eventual të titujve. Por Joshua vendosi për luftë me Usykun dhe mbeti pa tituj. Tani dështoi t’i kthente ata.
Joshua e Fury mund të përballen edhe nëse lufta nuk është për tituj.
Ka të ngjarë që Fury të kërkojë fitore ndaj Usykut për t’u bërë kampion i padiskutueshëm. Më pas mund të përballet me Joshuan para se vërtet të pensionohet. Pra një luftë Joshua – Fury mund të ndodhë në vitin e ardhshëm.