Fulhami është në bisedime me Benfican për transferimin e qendërmbrojtësit, Morato. Kështu është bërë e ditur të hënën nga “Sky Sports”. Futbollisti brazilian ka kërkuar vet transferimin te Fulhami dhe tashmë u ka thënë drejtuesve të klubit portugez se dëshiron të largohet gjatë kësaj vere.
Fulhami është i gatshëm të paguajë 15 milionë euro. Por te skuadra portugeze kanë kërkuar të rritet çmimi. 22-vjeçari me Benfican ka kontratë deri në vitin 2027. Pjesë e skuadrës portugeze është prej vitit 2021.
Ndërkohë, Fulhami ka plane ta mbajë edhe më gjatë brazilianin, Willian. Është afër t’ia vazhdojë edhe një vit qëndrimin në Angli. Willian ka refuzuar një ofertë të veçantë nga Arabia Saudite.