Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të jenë vendimtarë te përfaqësuesja U17 e Zvicrës. Zvicra në ndeshjen e dytë të raundit kualifikues për Evropian, e mposhti Gjibraltarin me shifrat 7:0.
Pesë prej golave i kanë shënuar futbollistët shqiptarë, që janë shumicë në përfaqësuesen helvetike. Ndeshja është luajtur të dielën në Vantaa të Finlandës.
Leon Asllani realizoi për 1:0. Dy gola i shënoi Leon Frokaj. Një e shtoi Labinot Bajrami e një tjetër Kevin Krasniqi.
Te Zvicra U17 startuan pesë futbollistë shqiptarë. Leon Asllani e Leart Zuka u paraqitën në mbrojtje. Mesfusha përbëhej nga Leon Frokaj, Bleon Xhemaili e Adriatik Salihi, që ishte kapiten. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Labinot Bajrami e Kevin Krasniqi. Në këtë ndeshje u pushuan Loren Arifi, Arbnor Gecaj e Rion Demiri, që qëndruan në stol.
Pra plot dhjetë lojtarë nga 20 të Zvicrës të përzgjedhur për këtë ndeshje dhe këto kualifikime, janë shqiptarë.
Zvicra në ndeshjen e parë barazoi 1:1 me Finlandën, ndërsa golin e shënoi Demiri. Ndeshjen e fundit në kuadër të grupit të shtatë të raundit kualifikues për Euro 2022 e luan të mërkurën ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Me fitore ndaj Gjibraltarit, gjasat e Zvicrës së shumë shqiptarëve për kualifikim tutje janë të mëdha.
Deri më tani nuk ka ndodhur që dhjetë shqiptarë të jenë në një përfaqësuese të Zvicrës. Shtatë startuan ndaj Finlandës, që po ashtu ndodhi për herë të parë.