Ka qenë një pritje e gjatë për sulmuesin Stephy Mavididi dhe skuadrën e Montpellierit. Pas më shumë se një vit pa e gjetur rrugën drejt golit, sulmuesi anglez shënoi dy gola gjatë fundjavës, duke u kthyer në formë në kohën e duhur – pak para vizitës së liderit Paris Saint-Germainit, të mërkurën.
Para fitores 2:0 të së dielës në Auxerre, Montpellieri dhe Mavididi ishin në gjendje të plotë dyshimi pas një serie prej katër humbjesh radhazi në të gjitha garat. Mes zemërimit në rritje nga tifozët që shfaqnin pankarta fyese dhe hodhën fishekzjarrë në fushë për të detyruar një ndeshje të ndërpritej për disa minuta dy javë më parë, kampioni i Francës nga viti 2012, ishte afër zonës së rënies. Dhe Mavididi ishte në kërkim për golin e parë që nga 23 janari i vitit të kaluar, kur ish-lojtari i Anglisë U20 shënoi në fitoren kundër Monacos në kohën shtesë. Pas asaj nate shkëlqyese, gjithçka shkoi drejt greminës për ish-lojtarin e akademisë së Arsenalit. Mavididi dëmtoi gjurin gjatë stërvitjes, lëndim që e mbajti jashtë fushës për disa muaj, dhe më pas grisi një muskul në kofshën e majtë në ditën e hapjes së edicionit aktual, në gusht.
24-vjeçari Mavididi – i cili iu bashkua skuadrës gjatë vitit 2020 – u kthye vetëm në tetor dhe ka luajtur 10 ndeshje në ligë deri më tani në kampionatin e dobët të Montpellierit. Shterpësia e tij për gol përfundoi në minutën e 62-të në Auxerre, kur mori një top pranë zonës, dribloi një mbrojtës dhe goditi saktë. Goli i dytë i Mavididit erdhi 10 minuta më vonë.
“Kishte kaluar një kohë, por unë kam vazhduar gjithmonë të punoj”, tha Mavididi, i cili është vetëm tre gola prapa rekordit prej 27 golash të Glenn Hoddle, si lojtari anglez me më shumë gola në ligën franceze.
Montpellier luftoi për periudha të gjata në Auxerre dhe efikasiteti klinik i Mavididit kompensoi mangësitë mbrojtëse të ekipit, që ende duhet të rregullohen nga trajneri Romain Pitau.
“Të gjithë e uruam sepse nuk patëm shumë shanse, ndoshta vetëm dy, dhe i kthyem në gola”, tha portieri Benjamin Lecomte, i cili u kthye në Montpellier këtë muaj për të ndihmuar ish-shokët e tij të skuadrës të qëndrojnë në Ligue 1.
Lecomte, i cili kishte luajtur në huazim tek Espanyoli nga Monaco, pati një periudhë të suksesshme në Montpellier mes viteve 2017 e 2019, duke fituar ftesë nga trajneri i Francës, Didier Deschamps. Ai u kthye si zëvendësues i Jonas Omlinit, i cili u transferua te Borussia Moenchengladbachu.
Zyrtarët e klubit shpresojnë se Lecomte do të rivendosë stabilitetin në mbrojtje që i mungon skuadrës, pasi ka pranuar 40 gola në 20 ndeshje këtë edicion. Në ndeshjen e tij të 80 me fanellën e Montpellierit, Lecomte ishte vendimtar duke ndaluar një penallti në fund të ndeshjes.
“Është vetëm një hap, ne duhet të vazhdojmë”, tha trajneri Pitau pasi ekipi i tij për herë të parë këtë vit e mbajti portën e pastër për t'u ngjitur në vendin e 14-të, pesë pikë mbi zonën e rrezikut.
Mbajtja e portës së paprekur edhe në ndeshjen e radhës në shtëpi është misioni i Montpellierit. Përballë do të jetë forca sulmuese e PSG-së, ekip që ka pasur vështirësi që nga fundi i vitit të shkuar. PSG-ja ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit të ligës, duke humbur dy, dhe trajneri Christophe Galtier pranoi se ka një problem.
“Lojtarët po bëjnë shumë gabime teknike dhe kjo po na kushton”, tha Galtier.
Duke filluar me ndeshjen ndaj Montpellierit, PSG-ja do të luajë shtatë ndeshje në shkurt, përfshirë testet e mëdha kundër Bayernit në Ligën e Kampionëve dhe Marseillet në Kupë e ligë.