Fluminense e ka fituar për herë të parë në histori të klubit trofeun e “Copa Libertadores”.
Në finalen dramatike të së shtunës mbrëma, Fluminense mposhti Boca Juniorsin me rezultatin 2:1, pas vazhdimeve.
Ky ballafaqim u zhvillua në stadiumin e famshëm “Maracana” në Rio de Janeiro të Brazilit.
Sulmuesi veteran, German Cano, e hapi serinë e golave në minutën e 36-të për skuadrën braziliane.
Advincuela i barazoi shifrat me gjuajtje të fuqishme nga distanca në minutën e 72-të, për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.
Në minutën e 99-të në vazhdime, zëvendësuesi John Kennedy, e realizoi golin e fitores, ndërsa u përjashtua nga loja në minutën e 101-të pasi mori kartonin e dytë të verdhë.
Sulmuesi brazilian që kishte karton të verdhë nga minuta e 89-të, pasi e shënoi golin historik, festoi në tribuna me tifozët e skuadrës së vet dhe më pas u përjashtua nga loja.
Fluminense u desh të mbahej me 10-të lojtarë përballë gjashtë herë kampionit, Boca Juniorsit.
Por, skuadra argjentinase nuk e shfrytëzoi epërsinë numerike të lojtarëve në fushë.
Madje, ky numër u barazua pasi u përjashtua edhe Frank Fabra, pasi e qëlloi Ninon. Fabra u largua nga loja direkt me kartonin e kuq.
Gola nuk pati më dhe ndeshja u mbyll në të mirë të skuadrës braziliane, Fluminense.
“Copa Libertadores” në Amerikën e Jugut e ka peshën e njëjtë si të Ligës së Kampionëve në Evropë.