Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Flamurtari kërkon që të mos vazhdohet kampionati pa u testuar të gjithë në klube për COVID-19

Klubi i Superligës së futbollit të Kosovës, Flamurtari, ka bërë thirrje që të testohen të gjithë anëtarë e klubeve të futbollit, pas testimit pozitiv me koronavirus të futbollistit të Dritës, Izair Emini. Flamurtari i është bashkuar thirrjeve që pak më parë i ka bërë Drita.

“Pas lajmit se një futbollist i Dritës ka dal pozitiv me COVID-19, jemi të detyruar që autoriteteve të futbollit dhe institucioneve shtetërore, të ju drejtohemi me kërkesë që të gjithë anëtarët në klube të futbollit të testohen për COVID-19 pasi që është marrë vendimi për vazhdimin e kampionatit. Ata që e kanë marrë këtë vendim le ta bëjnë edhe hapin tjetër, atë të testimit të futbollistëve dhe stafit të klubeve, sepse ekziston një rrezik permanent. Nëse vendimmarrësit janë udhëhequr me faktin se futbolli ka vazhduar në Gjermani, atëherë le të na bëjnë të ndihemi si gjermanë duke I bërë testimet për COVID-19. Futbollistët nuk janë njerëz të rendit të dytë e futbolli nuk është vetëm lojë si e konsideroni ju, por është punë e rëndë fizike e psikike. Kërkojmë që pa testime të mos vazhdohet kampionati, sepse rreziku është permanent”, është shkruar në komunikatën e Flamurtarit.

Futbolli në Kosovë do të rifillojë muajin e ardhshëm, ndërsa stërvitjet kanë filluar këtë javë.