Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fituesit dhe humbësit e shortit të Botërorit

Përfaqësuesja e Anglisë do të jetë në mesin e favoritëve për të triumfuar në kampionatin botëror “Katari 2022”, ndërsa Brazili i Neymarit është në një grup intrigues dhe sfidues.

Kupa e Botës do të fillojë pas gati shtatë muajve dhe shorti për fazën e grupeve është tërhequr të premten në Doha. Deri më tani, 29 përfaqësuese janë konfirmuar, ndërsa vende të tjera do të luajnë në qershor për të siguruar pjesëmarrjen në këtë turne. Kanë mbetur edhe tri bileta.

Disa vende do të jenë më të lumtura se të tjerat me fatin e shortit dhe më poshtë mund t’i shihni fituesit dhe humbësit.

Fitues – Anglia

Skuadra e Gareth Southgatet arriti në gjysmëfinale katër vjet më parë dhe do të jetë favorit i madh për të avancuar nga Grupi B. Anglia potencialisht mund të përballet me Ukrainën ose të ketë një “derbi britanik” kundër Skocisë ose Uellsit në grup. Kundërshtari i fundit i Anglisë do të përcaktohet në qershor me plejofin evropian. Por Anglia mund të jetë e lumtur me pjesën tjetër të shortit, duke filluar me një lojë hapëse kundër Iranit, i cili nuk ka dalë kurrë nga faza e grupeve në pesë përpjekjet e mëparshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës që tronditën Anglinë në Kupën e Botës 1950 do të jenë kundërshtari tjetër, por pavarësisht se kanë një skuadër të talentuar, amerikanët konfirmuan vendin e tyre në Katar vetëm në diferencën e golave përpara Kosta-Rikës, pasi humbën ndeshjen e fundit kualifikuese.

Edhe Franca e Anglia kërkojnë pak ngushëllim Botërori 2026 1 j. më parë Franca e Anglia kërkojnë pak ngushëllim

Humbës – Katari

Mikpritësit po marrin pjesë për herë të parë në Kampionatin Botëror dhe përballen me një sfidë të vështirë për të avancuar në fazën tjetër. Katari do ta luajë ndeshjen e parë të Botërorit më 21 nëntor kundër Ekuadorit. Ndoshta kjo është ndeshje që patjetër duhet ta fitojë Katari përpara se të luajë ndeshjet e tjera edhe më të vështira të grupit. Kundërshtari i radhës për Katarin është Senegali i Sadio Manes, ndërsa në raundin e fundit të fazës grupore do të përballet me Përfaqësuesen e Holandës. Pak gjasa pra për Katarin vendas.

Fitues – Franca

Asnjë përfaqësuese nuk e ka mbrojtur trofeun që nga Brazili në vitin 1962, por Franca ka një skuadër që i jep një mundësi të madhe për ta bërë këtë. Dhe trajneri Didier Deschamps, i cili ka fituar trofeun edhe si lojtar, edhe si trajner, mund të jetë i lumtur që shorti i ka dhënë Francës një shans të madh për të kaluar fazën e grupeve. Francezët u janë shmangur “peshave të rënda” evropiane, ndonëse do të përballen me Danimarkën në ndeshjen e tyre të dytë. Para kësaj ata do të përballen me Emiratet e Bashkuara Arabe, Perunë apo Australinë që do të luajnë në plejofin ndërkontinental. Ndërsa fazën e grupeve Franca e përmbyll me Tunizinë.

Humbës – Brazili

Përfaqësuesja më e suksesshme e Kupës së Botës do të jetë favorite për t'u kualifikuar në fazën e nokautit në Katar, por nuk do ta ketë aspak të lehtë, për shkak se bën pjesë në një grup që mund të quhet edhe “grupi i vdekjes”. Brazili është gjithmonë në rrezik që t'i ketë dy shtete evropiane në grup. Ndonëse u është shmangur gjigantëve tradicionalë do të ketë prova të vështira me dy nga tre kundërshtarët me të cilët u përball në fazën e grupeve në vitin 2018. “Selecao” nis kundër Serbisë, e cila ishte e pamposhtur në kualifikime në një grup që përfshinte Portugalinë, për të vazhduar me Zvicrën që doli e para në kualifikime duke lënë pas Italinë. Kameruni, i cili mundi Algjerinë për të arritur në Katar, nuk do të jetë i lehtë po ashtu. Kështu që skuadra e Tites duhet të aktivizohet që nga fillimi i turneut.

Fitues – Belgjika

Kjo mund të jetë mundësia e fundit për gjeneratën e artë të Belgjikës për të fituar një trofe, ndonëse sapo është rrëzuar nga Brazili si përfaqësuesja numër një në botë. Ndërkohë që nuk ka pasur sugjerime për pensionime, lojtarë të tillë si Kevin De Bruyne, Eden Hazard dhe Axel Witsel do të jenë të gjithë mbi 33 vjeç kur të nisë kampionati i ardhshëm evropian. Shumë lojtarë në një skuadër super yjesh kanë qenë të suksesshëm me klubet e tyre dhe shumë njerëz do të shpresojnë se më në fund mund të bëjnë të njëjtën gjë për vendin e tyre. Një grup që përfshin Kanadanë, Marokun dhe Kroacinë u jep atyre një shans të fortë për të arritur në 1/8 e finales. Nga atje gjithçka është e mundur për belgët.

Edhe Angli – Argjentinë, spektakli i garantuar Botërori 2026 1 j. më parë Angli – Argjentinë, spektakli i garantuar

Humbës – Uruguai

Grupi H ka krijuar një sërë historish që do ta bëjnë Uruguain si ekip jo fort të dëshiruar, duke qenë se ky do të jetë Botërori i fundit për yjet si Luis Suarez dhe Edinson Cavani. Suarez ishte djaloshi i keq 12 vjet më parë kur ia mohoi golin Ganës në minutën e fundit dhe një vend në çerekfinale në Afrikën e Jugut. Suarez e ndali topin me duar në portën e zbrazët. Uruguai përballet sërish me Ganën, e cila me siguri do të tentojë revanshin. Do të jetë gjithashtu kërcimi i fundit për Cristiano Ronaldon në skenën botërore dhe ai do të jetë sërish në qendër të një skuadre të talentuar të Portugalisë. Koreja e Jugut kompleton grupin duke u siguruar që nuk do të ketë ndeshje të lehta.