Lionel Messi do të përballet me Robert Lewandowskin, Spanja luan me Gjermaninë, kurse Luis Suarezit i ofrohet një tjetër ndeshje kundër armikut të vjetër, Ganës.
Shorti për fazën e grupeve të Kupës së Botës krijoi disa perspektiva intriguese. Ndeshja do të fillojë më 21 nëntor, me Katarin nikoqir që do të luajë kundër Ekuadorit në ndeshjen hapëse.
Anglia do të luajë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dyja duhet të përballen me Iranin dhe potencialisht Ukrainën.
Gjithsej 37 skuadra u përfshinë të premten, sepse nuk dihen ende tri hyrjet në formacionin me 32 përfaqësuese. Ato do të konfirmohen në qershor kur të përfundojnë plejofet evropiane dhe ndërkontinentale.
Orari i fillimit dhe stadiumet për çdo ndeshje do të vendosen këtë muaj. Dy skuadrat e para në secilin grup kalojnë në fazën e nokautit. Turneu përfundon më 18 dhjetor.
Edhe
Messi, Ronaldo, Mbappe, Neymar dhe yjtë e tjerë janë gati për çerekfinale
Grupi A – Katari, Holanda, Senegali, Ekuadori
Katari nikoqir do të bëjë debutimin në Kupën e Botës kundër Ekuadorit, në ndeshjen e parë të këtij turneu. Ndeshja hapëse luhet më 21 nëntor. Katari është për herë të parë në këtë ngjarje, falë organizimit të Botërorit. Holanda, që tri herë ka dalë nënkampione e botës, do të startojë kundër Senegalit, kampionit të ri të Afrikës.
Grupi B – Anglia, SHBA-ja, Irani dhe Uellsi, Skocia apo Ukraina
Anglia ndeshjen e parë do ta luajë kundër Iranit. Është kjo hera e parë që këto dy vende përballen në një Kampionat Botëror. Anglia dhe SHBA-ja do të luajnë me njëra-tjetrën në raundin e dytë të fazës së grupeve. Të dyja ishin në të njëjtin grup edhe në Botërorin e vitit 2010, ku barazuan 1:1 dhe arritën të avancojnë në fazën e nokautit.
Ndeshja e fundit e Anglisë mund të jetë një derbi kundër njërit prej fqinjëve të saj, Uellsit ose Skocisë, por edhe Ukrainës – ekipe që do të luajnë në qershor në kuadër të plejofit evropian.
SHBA-ja dhe Irani u takuan më parë në Kupën e Botës në vitin 1998, ku iranianët fituan 2:1.
Ekipet e grupit B gjithashtu duhet të fillojnë të luajnë më 21 nëntor. Kjo u jep atyre më pak ditë për t'u përgatitur për Kupën e Botës, por shton më shumë ditë pushimi nëse shkojnë larg në turne.
Grupi C – Argjentina, Meksika, Polonia, Arabia Saudite
Lionel Messi dhe Robert Lewandowski – fituesi i “Topit të Artë” dhe futbollisti më i mirë i vitit nga FIFA – do të përballen në raundin e fundit të fazës së grupeve, kur Argjentina do të luajë ndaj Polonisë. Do të jetë ky një duel interesant i këtyre dy sulmuesve që ishin rivalë edhe për çmimet e më të mirëve në vitet e fundit. Argjentina e hap turneun ndaj Arabisë Saudite, ndërsa Polonia përballet me Meksikën.
Grupi D – Franca, Danimarka, Tunizia dhe Peruja, Australia apo Emiratet e Bashkuara Arabe
Edhe
Fituesit dhe humbësit e shortit të Botërorit
Kampionia në fuqi e botës, Franca, ishte në të njëjtin grup me Danimarkën edhe katër vjet më parë dhe të dyja avancuan tutje. Në vitin 2018, Franca u përball gjithashtu me Perunë dhe Australinë në grup, kështu që një ribashkim i tri përfaqësueseve është i mundur në varësi të rezultatit të plejofit ndërkontinental që luhet në muajin qershor.
Grupi E – Spanja, Gjermania, Japonia dhe Kosta-Rika apo Zelanda e Re
Spanja, që u shpall kampione e botës në vitin 2010, do të përballet me fituesen e vitit 2014, Gjermaninë, në një grup të vështirë për Japoninë. Kosta-Rika ishte çerekfinaliste në Botërorin e vitit 2014, duke shkuar më larg se Spanja në atë turne.
Por fillimisht duhet të kalojë Zelandën e Re në finalen e plejofit tjetër ndërkontinental, në qershor, për të qenë pjesë e këtij grupi në Katar.
Grupi F – Belgjika, Kroacia, Maroku, Kanadaja
Belgjika ishte gjysmëfinaliste para katër vjetësh, ndërsa Kroacia pësoi në finale. Kanadaja është një opsion intrigues dhe i vështirë nga përfaqësueset më së ulëti të renditura, por nuk duhet harruar se ajo kryesoi grupin kualifikues përpara Meksikës dhe SHBA-së.
Maroku bëhet pjesë e një grupi me dy përfaqësuese të forta të Evropës për turneun e dytë rresht. Herën e kaluar Maroku ishte në grup me Spanjën dhe Portugalinë.
Grupi G – Brazili, Zvicra, Serbia, Kameruni
Brazili, Zvicra dhe Serbia janë ribashkuar shpejt në grup, pasi të gjithë ishin në të njëjtin grup në Botërorin e vitit 2018. Brazili duelin e parë në Katar e luan kundër Serbisë, të cilën e mundi 2:0 katër vjet më parë. Brazili duhet të jetë ndër përfaqësueset e fundit që do të nisë të luajë, më 24 nëntor. Do të ketë më shumë kohë për t’u përgatitur për këtë ngjarje, por do ta ketë një program të ngjeshur prej 25 ditësh nëse dëshiron ta fitojë titullin e gjashtë që do të ishte rekord i ri.
Edhe
Kompletohet shorti i Botërorit, Zvicra kundër Serbisë
Grupi H – Portugalia, Uruguai, Koreja e Jugut, Gana
Cristiano Ronaldo është në rrugën e duhur për të luajtur në Botërorin e pestë rresht. Ai mund të shkëlqejë kur Portugalia të përballet me Ganën në ndeshjen hapëse. Grupi ribashkon Luis Suarezin e Uruguain me Ganën për herë të parë që nga ndeshja e tyre famëkeqe çerekfinale në Kupën e Botës 2010. Suarez u përjashtua me karton të kuq pasi ndali me duar një gol pothuajse të sigurt që do t’ia siguronte fitoren Ganës në vazhdime. Penalltinë e dhënë Gana e humbi, ndërsa Uruguai vazhdoi tutje pas fitoi nëpërmjet serive të penalltive.