Skitarja amerikane Mikaela Shiffrin u gjobit nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS) për mbërritjen me vonesë në shortin publik për numrat fillestarë në garën e Kupës së Botës në Copper Mountain.
Sipas rregulloreve të FIS-it, skitaret me pozicionet e nisjes nga 1 deri 15 duhet të marrin pjesë në kohë, përndryshe mund të vendosen penalitete deri në disavantazhe sportive.
Shifrrin mbërriti me vonesë, por prapë në kohë për nisjen. Siç është raportuar, amerikania humbi rrugën nga hoteli për në garë.
“FIS ka rregulla strikte dhe për këtë arsye Shiffrini do të gjobitet në përputhje me rrethanat”, ka thënë për media zëdhënësja e FIS-it, Viviane Tonoli.
Ajo zuri vendin e parë në garën e sllallom të dielën. Ishte fitorja e 104-t për Shiffrinin në garat e Kupës së Botës.
Skitarja italiane që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, zuri vendin e tretë.