Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Finale skandinave në Evropianin e hendbollisteve

Norvegjia e Danimarka do të paraqiten në finalen e Kampionatit Evropian për hendbolliste. Dy përfaqësueset skandinave të premten kanë dominuar në gjysmëfinale dhe do të luftojnë për titull të kampionit kontinental të dielën.

Norvegjia me një paraqitje të jashtëzakonshme fitoi ndaj Francës, kampiones olimpike, me rezultatin 28:20. Portierja Margaretha Solberg ishte e pakalueshme, duke bërë 14 pritje. Më efikasja ishte Nora Mork me tetë gola. Shtatë i shënoi Stine Oftedal. Te Franca, pesë gola i shënoi Grace Zaadi Deuna. Norvegjia është kampione botërore dhe kampione evropiane në fuqi kurse synon ta mbroj titullin.

Në gjysmëfinalen e parë, Danimarka fitoi ndaj Malit të Zi me rezultatin 27:23. Danezet siguruan medalje evropiane për herë të parë që nga viti 2004. Në Botërorin e kaluar kanë fituar medaljen e bronztë.

Danimarkën ndaj Malit të Zi e udhëhoqi Emma Cecilie Friis me shtatë gola. Te Mali i Zi nga shtatë gola i shënuan Gjurgjina Jaukoviq dhe Itana Grbiq.

Gjysmëfinalet u zhvilluan në Lubjanë të Sllovenisë, ndërsa Evropiani është luajtur edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Të dielën prej orës 17:45 është ndeshja për vend të tretë në mes të Malit të Zi dhe Francës. Kurse finalja në mes të Danimarkës dhe Norvegjisë është prej orës 20:30.