Kupa e Botës në Katar do të nisë të dielën, dhe pjesë e saj do të jetë edhe sistemi VAR, që do të jetë në qendër të vëmendjes.
Në Botërorin 2022 do të përdoret edhe teknologjia gjysmë-automatike për pozitë jashtë loje.
Në Botërorin 2018, VAR-i u zbatua për herë të parë, por gjyqtarët u kritikuan shumë për marrjen e vendimeve, sidomos në penalltinë e shënuar nga Antoine Griezmann, në fitoren e Francës ndaj Kroacisë 4:2 në finale.
Gjyqtari Nestor Pitana kaloi disa minuta para ekranit për ta parë situatën kur Ivan Perishiq luajti me dorë brenda në zonë.
VAR-i në Botërorin e Katarit do të jetë më i sofistikuar.
12-të kamera të vendosura nën çatinë e çdo stadiumi ku do të zhvillohen ndeshjet, do të jenë vetëm në përcjellje topit. Ndërkohë, do të jenë gjithsej 29 pika të dhënash në mënyrë individuale për secilin lojtar në fushë.
Topi i quajtur “Al Rihla” që do të përdoret në Kupë të Botës brenda posedon një sensor.
Sistemi që përcjellë 50 të dhëna në sekond, do të kalkulojë pozicionin e saktë të secilit futbollist në fushë, në çdo kohë.
Kur sinjalizohet një pozitë jashtë loje, një sinjal do t’i dërgohet operatorëve në dhomën e VAR-it.
Aty më pas do të vërtetohet momenti i prekjes së topit dhe linja e pozitës jashtë loje.
FIFA ka njoftuar se ky proces do të marrë kohë vetëm pak sekonda.
Më e rëndësishmja, pasi të merret vendimi final, në ekranet e televizioneve dhe stadiumeve, do të shfaqet animacioni 3D, që e tregon në detaje pozitën e rastit të dyshimtë.
Risia e kësaj teknologjie për herë të parë është përdorur në stadiumin e Manchester Cityt, “Etihad Stadium”.