Është radha e polakut Robert Lewandowski që të përpiqet për të ndaluar Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon të fitojnë çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s. Sulmuesi i Bayern Munichut u bashkua me dy lojtarët më të dekoruar të kohëve të fundit – Messin e Ronaldon - në listën e ngushtë të tre futbollistëve që konkurrojnë për më të mirin e shpallur nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit. Lista e ngushtë është publikuar të premten nga FIFA.
Golat e Lewandowskit e udhëhoqën Bayernin drejt suksesit të jashtëzakonshëm që e arriti këtë vit, triumfit në Ligën e Kampionëve, Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Evropës. Një prej 55 golave të Lewandowskit sezonin e kaluar ishte në fitoren e thellë të Bayernit, 8:2, kundër Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Dhe pikërisht janë golat dhe trofetë e fituar nga Bayerni që mund ta shtyjnë Lewandowskin të marrë këtë çmim prestigjioz të ndarë nga FIFA.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLewandowski mund të bëhet vetëm lojtari i dytë - pas Luka Modriqit në vitin 2018 – që ia ka mohuar këtë çmim Messit apo Ronaldos, qëkur e filluan sundimin e tyre në FIFA në vitin 2008. Argjentinasi Messi e ka fituar këtë çmim hiç më pak se gjashtë herë, ndërsa portugezi Ronaldo e ka fituar pesë herë.
Dy futbollistë të Bayernit janë në mesin e atyre që gjatë karrierës ishin në listën e tre futbollistëve më të mirë në garën për këtë çmim, por që përfunduan të tretët. Franck Ribery në vitin 2013 dhe Manuel Neuer në vitin 2014.
Ndërkohë, në listën e ngushtë të futbollisteve më të mira për këtë vit përfshihen: Lucy Bronze, Wendi Renard dhe Pernille Harder. Bronze dhe Renard janë bashkëlojtare që e fituan Ligën e Kampionëve të femrave me Lyonin edicionin e shkuar. Ndërsa, Harder luajti për ekipin që pësoi në finale të kësaj gare nga Lyoni, Wolfsburgun. Harder fitoi çmimin UEFA-s, si lojtarja më e mirë për femra në Evropë sezonin e kaluar, derisa te meshkujt ky epitet i takoi Lewandowskit.
As Messi e as Ronaldo nuk u futën në listën e ngushtë të tre lojtarëve për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Evropë, të votuar nga trajnerë të klubeve dhe mediat kryesore evropiane. Kevin De Bruyne doli i dyti në këtë votim, derisa Neuer përfundoi i treti.
Çmimi i FIFA-s përcaktohet nga një juri prej gjithë pjesëve të botës: trajnerë dhe kapitenë të përfaqësueseve, media dhe tifozë. Votimi tashmë është mbyllur dhe fituesit do të shpallen të enjten në një ceremoni virtuale të organizuar nga FIFA.
Trajneri i Bayernit, Hansi Flick, ai i Liverpoolit, Jurgen Klopp, dhe ai i Leeds Unitedit, Marcelo Bielsa, janë në garë për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit te meshkujt. Ndërsa, gara për çmimin e trajnerit më të mirë në futbollin e femrave do të jetë midis Jean-Luc Vasseur të Lyonit, Emma Hayes të Chelseat dhe Sarina Wiegman që është përzgjedhëse e Holandës.