Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shifra të veçanta të kandidatëve për më të mirët e vitit sipas FIFA-s

Momenti i së vërtetës po vjen shpejt. Ajka e futbollit botëror do të kurorëzohet në ceremoninë “The Best FIFA Football Awards”, që mbahet më 17 janar.

Derisa presim të shohim se kush do të fitojë çmimet që vjet shkuan te Robert Lewandowski, Lucy Bronze dhe Juergen Klopp, fifa.com na sjell disa prej statistikave të jashtëzakonshme që i kanë arritur kandidatët e kategorive të ndryshme.

41 – Me 41 gola në edicionin 2020/21 të Bundesligës, Robert Lewandowski ka thyer rekordin e Gerd Muellerit prej 40 golave që kishte qëndruar për plot 49 vjet. Ylli polak, që kishte fituar çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë në botë për vitin 2020, e përfundoi edicionin me 48 gola në të gjitha garat. Për herë të gjashtë rresht Lewa shënoi më shumë se 40 gola në edicion.

20 – Erlind Haaland shënoi golin e tij të 20-të në Ligën e Kampionëve në mars të vitit 2021, në vetëm paraqitjen e 14-të në garë. Për krahasim, Harry Kane, që e mbante rekordin më herët, shifrën e 20 golave e kishte arritur me dhjetë ndeshje më shumë.

9 – Portieri i Chelseat, Edouard Mendy, mbajti në më së shumti ndeshje portën të pamposhtur, në një edicion debutues në Ligën e Kampionëve. Ai nuk pësoi gol në nëntë ndeshje.

Edhe Dhjetë favoritët për “Këpucën e Artë” Botërori 2026 Dhjetë favoritët për “Këpucën e Artë”

23 – Sarina Wiegman udhëhoqi Holandën deri në çerekfinale të turneut të futbollisteve në Lojërat Olimpike të Tokios. Ndonëse holandezet u ndalën më herët se që kishin shpresuar, trajnerja aktuale e Anglisë ia doli që “tulipanet” t’i bëjë më efikaset në Olimpiadë. Holanda shënoi 23 gola.

9 – Lionel Messi ishte bindshëm lojtari më me ndikim në triumfin e Argjentinës në Copa America 2021. “La Pulga” shënoi katër gola dhe bëri pesë asistime. Kishte ndikim në nëntë prej 12 golave të “La Albiceleste” në rrugëtimin drejt triumfit të parë kontinental që nga viti 1993.

30 – Me dy golat ndaj Bruges më 7 dhjetor 2021, Kylian Mbappe arriti në shifrën e 31 golave në Ligën e Kampionëve. Kjo nënkuptoi se ylli i PSG-së me 22 vjet e 352 ditë u bë më i riu në histori të garës që arriti në shifrën e 30 golave. Lionel Messi mbeti i dyti me 23 vjet e 131 ditë.

111 – Me dy golat ndaj Irlandës në ndeshjen kualifikues për Botëror, të zhvilluar më 1 shtator, Cristiano Ronaldo është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin ndërkombëtar. Me 111 gola, ai kaloi për dy gola rekordin e mëparshëm që e mbante Ali Daei i Iranit.

10 – Gjatë pjesëmarrjes së parë të Holandës në turneun olimpik për futbolliste në Tokio, sulmuesja e Holandës, Vivianne Miedema, vendosi rekord për më së shumti gola në një edicion të Lojërave Olimpike. Shënoi dhjetë gola në vetëm katër ndeshje.

48 – Goli i Sam Kerr në humbjen 4:3 të Australisë nga SHBA-ja në ndeshjen për medalje të bronztë në Lojërat e Tokios e bëri atë golashënuesen më të mirë të Australisë me 48 gola në 99 paraqitje. Rekordin e mëparshëm e mbante Lisa De Vanna me 47 gola në 150 paraqitje.

48 – Me “hat-trickun” për Anglinë në fitoren e thellë ndaj Letonisë në ndeshjen kualifikuese për Botëror, Ellen White është bërë golashënuesja më e mirë e Anglisë me 48 gola. Ka dy gola më shumë se Kelly Smith, që mbante rekordin më herët.

3 – Nën drejtimin e Pep Guardiolas, Manchester City jo vetëm që fitoi titullin e tretë të Premier Leagues, por arriti në finale të Champiosit për herë të parë në histori. Gjatë rrugës, City arriti 21 fitore rresht në të gjitha garat, që është rekord për një klub në nivelin superior të Anglisë.

Edhe Haalandi, Messi, Ronaldo dhe rekordet që synohen në vitin 2025 Sport Haalandi, Messi, Ronaldo dhe rekordet që synohen në vitin 2025

2 – Me arritjen në finale të Ligës së Kampionëve me Chelsean, Thomas Tuchel u bë trajneri i parë që u kualifikua në dy finale rresht të Championsit, me dy klube të ndryshme. Chelsea triumfoi 1:0 ndaj Manchester Cityt.

705 – Mesfushori i Italisë, Jorginho, ka pasur një vit ëndrrash. Ai fitoi Ligën e Kampionëve me Chelsean e më pas fitoi Evropianin me Italinë. Në Evropian luajti 705 minuta, më shumë se çdo lojtar tjetër, pa llogaritur portierët.