Zuerich, 16 dhjetor – Robert Lewandowski është i sigurt se do të zgjidhet futbollisti më i mirë i FIFA-s për vitin 2020 të enjten, me forcën e 55 golave që e ndihmuan Bayern Muenchenin të fitojë “tripletën” në edicionin e kaluar, kanë raportuar të mërkurën mediumet e huaja. Lewandowski, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë në listën e ngushtë në kategorinë e futbollistëve për çmimin e më të mirit nga FIFA. Sulmuesi polak vlerëson lart Messin e Ronaldon por është i bindur se këtë herë, ai do të shpallet më i miri.
“Ne ishim më të mirët, nuk ka dyshim për këtë” tha Lewandowski të mërkurën, në prag të ceremonisë që do të mbahet virtualisht në selinë e FIFA-s në Zuerich. “Pas një sezoni, në të cilin kam shënuar shumë gola dhe kam fituar gjithçka, nuk mendoj se ka njeri me të cilin mund të krahasohem. Kam besim të madh se do ta fitoj këtë çmim”.
Golat e Lewandowskit 32-vjeçar, ndihmuan Bayernin që të fitoj titullin e kampionit të Bundesligës, Kupën e Gjermanisë dhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Mbi të gjitha, Lewandowski ishte edhe golashënuesi më i mirë në të tri garat. Në fakt, Lewandowski tashmë ka fituar dy çmime. Është zgjedhur futbollisti i vitit në Gjermani dhe Evropë por dëshira e tij është që këtyre çmimeve t’ua shtojë edhe atë të lojtarit më të mirë në botë.
“Jam optimist”, shtoi ai edhe njëherë.
Në fakt, mesfushori i Kroacisë, Luka Modriq, i votuar si futbollisti më i mirë në botë nga FIFA për vitin 2018, është lojtari i vetëm që ka thyer dominimin e Ronaldos dhe Messit për këtë çmim që nga viti 2008. Portugezi Ronaldo është zgjedhur pesë herë lojtari i vitit, derisa Messi është shpallur gjashtë herë. Te Bayerni janë optimistë se Lewandowski, i cili njihet me nofkën “LeëanGOALski”, mund ta thyejë këtë monopol duke e fituar çmimin për këtë vit. Këtë e ka pranuar edhe trajneri i Bayernit, Hansi Flick.
“Askush nuk e meriton këtë çmim aq sa Lewandowski”, tha Flick, i cili gjithashtu është në listën e ngushtë për trajnerin e vitit së bashku me Juergen Kloppin e Liverpoolit dhe Marcelo Bielsan e Leeds Unitedit.
Kapiteni i Bayernit, Manuel Neuer, i cili së bashku me Jan Oblakun dhe Alisson Beckerin është në garë për çmimin e portierit më të mirë të vitit, thotë se Lewandowski është “unik”.
Edhe
Në cilën pozitë përfundoi Messi në listën e më të mirëve të Botërorit
“Unë jam me të vërtetë i lumtur që e kam atë në ekipin tim dhe nuk kam pse të luaj kundër tij. Mendoj se ky ishte viti i tij”, shtoi Neuer.
Sidoqoftë, te Bayerni janë shumë të vetëdijshëm për rrezikun që e ka Lewandowski përballë Ronaldos e Messit për t’u shpallur më i miri. Ish-sulmuesi i Bayernit, Franck Ribery ishte i treti në vitin 2013, parapa Ronaldos e Messit edhe pse kishte qenë më i merituari për “tripletën” e bavarezëve. Një vit më vonë, Neuer gjithashtu përfundoi i treti pas portugezit e argjentinasit, ndonëse ndihmoi Gjermaninë për ta fituar titullin e botës. Lewandowski shënoi gol në fitoren e thellë 8:2 të Bayernit ndaj Barcelonës së Messit, që u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Një futbollist nga një klub i Bundesligës nuk është votuar kurrë si lojtari më i mirë në botë. Lothar Matthaeus, është i vetmi gjerman i votuar si lojtari i vitit nga FIFA në vitin 1991, por këtë çmim e fitoi derisa luante për Interin. Lewandowski nuk do të habitej nëse Messi e fiton përsëri të enjten këtë çmim, duke shtuar: “Ne do të duhet të presim edhe 100 vjet tjerë derisa dikush si ai të lindë përsëri”.
Fituesit e kategorive të ndryshme për këtë vit tashmë janë vendosur me votat e kapitenëve dhe përzgjedhësve të përfaqësueseve, plus të më shumë se 200 gazetarëve derisa në votim gjithashtu kanë marrë pjesë edhe tifozët. Lucy Bronze, Pernille Harder dhe Wendie Renard janë në garë për çmimin e futbollistet më të mirë të vitit.