Federata e Futbollit të Suedisë e ka kontaktuar sulmuesin e Hammarbyt, kosovarin Astrit Selmani që pritet këtë muaj të grumbullohet me Përfaqësuesen e Kosovës. Kështu ka njoftuar e përditshmja suedeze “Aftonbladet”.
Në fakt, takimin dhe bisedën e kanë konfirmuar si federata suedeze ashtu edhe Selmani por që nuk kanë bërë të ditur se për çka është diskutuar.
“Ajo çka kemi folur mbetet mes nesh dhe nuk ka nevojë të bëhet publike. Ka shumë parametra por në fund është dëshira e lojtarit vendimtare. Në përgjithësi mund të them se ishte një bisedë e mirë”, ka thënë menaxheri i Përfaqësueses së Suedisë, Stefan Petterson.
Ndërkohë, edhe Selmani e ka vlerësuar bisedën me Pettersonin si të mirë dhe ka insistuar se gjërat që janë folur në takim do të mbesin mes tyre.
“Kam pasur bisedë me Stefanin që ishte shumë e dobishme. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar Selmani që ka insistuar se nuk është diskutuar nëse ai do të jetë pjesë e listës së Suedisë për Kampionatin Evropian.
Selmani javë më parë për KOHËN kishte konfirmuar se do të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji pasi ka kompletuar të gjithë dokumentacionin e Kosovës por që lista e përzgjedhësit Bernard Challandes ende nuk është bërë publike.
Sulmuesi 23-vjeçar në fillim të këtij viti iu bashkua Hammarbyt pas paraqitjeve fantastike që i pati sezonin e shkuar te Varbergsi, ekip për të cilin shënoi 17 gola dhe asistoi tetë herë në 28 paraqitje.