Sport

FBK-ja çon turneun final të Kupës në palestrën e pafinalizuar

Turneu final i Kupës së Kosovës në basketboll do të zhvillohet në Rahovec. Kështu ka vendosur Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, është bërë e ditur të premten. Është vendosur për Rahovec ndonëse në këtë qytet ende nuk ka palestër të gatshme për zhvillimin e ndeshjeve.

Palestra në Rahovec ka nisur të ndërtohet një dekadë më parë dhe nuk ka garanci se ajo do të përfundojë së ndërtuari deri më 27 shkurt, kur do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale për Kupë. Ka shpresë që megjithatë palestra do të përfundojë së ndërtuari para 27 shkurtit dhe për këtë klubi i basketbollit Rahoveci ka aplikuar për organizim të turneut. Rahoveci ishte klubi i vetëm që shfaqi interesim për organizim të ndeshjeve përfundimtare për Kupë dhe Bordi i FBK-së ia besoi të drejtën.

Në të vërtetë aplikacioni i KB Rahoveci dhe vendimi i Bordit të FBK-së janë edhe presion i shtuar ndaj autoriteteve për të përfunduar ndërtimin e palestrës. Punët janë në fazën finale, por për një objekt që ndërtohet për mbi një dekadë, një muaj e gjysmë nuk duket periudhë shumë e gjatë.

Te Rahoveci edhe kur paraqitën kërkesën më 8 janar, por edhe të premten pas vendimit të Bordit të FBK-së, nuk janë shprehur plotësisht të sigurt se palestra do të jetë gati.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).