“Final 8” i Kupës së Kosovës në basketboll, do të organizohet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ka njoftuar të martën Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Ky turne, do të mbahet nga data 15 deri më 19 shkurt, ndërsa do të organizohet nga KB Rahoveci. Në njoftimin e FBK-së, janë cekur edhe disa kushte, që patjetër duhet të respektohen. Prania e shikuesve do të lejohet në palestër, por në mënyrë jo të organizuar dhe pa simbole dalluese.
Biletat do të mund të blihen nga shikues vetëm me letërnjoftime, ndërsa në datat e organizimit të ngjarjes pritet të ketë edhe prokuror kujdestar në palestër.
Po ashtu, është kërkuar edhe vënia e kamerave në funksion brenda palestrës, si dhe masa të larta të sigurisë, ku krahas policisë së Kosovës të ketë edhe sigurim privat.