Ka 37 vjet, por sulmuesi kamerunas Samuel Eto'o nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli. Ai të dielën ka njoftuar se shumë shpejt do ta zbulojë ekipin e ri për edicionin 2018/19, që do të jetë i 14-ti në karrierë.
Eto'o ditë më parë është larguar nga skuadra elitare e Turqisë, Konyaspor, me të cilën kishte kontratë deri në verën e vitit 2020. Këtij ekipi iu bashkua në janar të këtij viti.
“Ka ende kohë për pensionim. Po shikoj drejt edicionit të ri, pasi tashmë kam disa oferta në tavolinë. Shumë shpejt do të njoftoheni për ekipin tim të ri”, ka thënë Eto'o, duke mos zbuluar nëse do të vazhdojë të luajë në Turqi apo në ndonjë shtet tjetër, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Te klubi i Konyasporit kanë njoftuar se kontrata me kamerunasin është shkëputur me marrëveshje të dyanshme. Eto'o me fanellën e Konyasporit ka shënuar vetëm gjashtë gola në 14 paraqitje.
Sipas raporteve të fundit, gjasat janë të mëdha që Eto'o të vazhdojë karrierën në Ligue 1 të Francës, por nuk përjashtohet mundësia e kthimit të tij në La Liga, ku bëri emër. Eto'o suksesin më të madh në karrierë e ka shijuar me fanellën e Barcelonës. Për pesë vjet me të (2004-2009) ka fituar tetë trofe, përfshirë këtu tri herë titullin e kampionit në La Liga dhe dy herë Ligën e Kampionëve... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)