Sport

Enxhi Xhanaj, basketbollistja nga Shqipëria që kërkon trofe edhe në Kosovë

Enxhi Xhanaj do të jetë pjesë e basketbollit të femrave në Kosovë edhe për një periudhë të gjatë. Javën e shkuar, skuadra e Prishtinës njoftoi se ka arritur marrëveshje dyvjeçare me basketbollisten nga Shkodra, që vitin e shkuar vendosi të largohet nga basketbolli i Shqipërisë për ta vazhduar karrierën në atë të Kosovës.

Xhanaj në sezonin 2019/20, që u anulua më 31 mars për shkak të përhapjes së koronavirusit, ishte ndër lojtaret më të dalluara te Prishtina, ekip që debutoi në EuroCup Women në kuadër të FIBA-s, shkruan KOHA. Në fakt, ishte pikërisht pjesëmarrja në kupat evropiane ajo që ndikoi në transferimin e Xhanajt te skuadra nga kryeqyteti, që në gjashtë ndeshje të luajtura në kuadër të fazës së grupeve pësoi po aq humbje.

Xhanaj pati një mesatare prej tetë pikëve, 6.5 kërcimeve dhe 2.7 asistimeve në një grup të fortë, të cilin e përbënin edhe Beshiktashi (Turqi) e skuadrat nga Rusia, MBA Moska dhe Sparta&k Vidnoje.

“Ishte një kënaqësi të luaja në një garë aq cilësore dhe të përballesha me lojtare të tilla, pavarësisht diferencave. Cilësia e garës ka qenë shumë e lartë, shfaqje e basketbollit modern. Sa për rezultate, ka gjithmonë mundësi më të mirë, por si përvojë e parë në nivel të tillë ndërkombëtar mendoj se iniciativa e ekipit për pjesëmarrje duhet të jetë më e rëndësishme sesa kritikat ndaj rezultatit”, ka thënë Xhanaj 27-vjeçare, që luan në pozitat 3 dhe 4. “Para fillimit të sezonit të shkuar iu bashkova Prishtinës për shkak të mundësisë që të luaj në EuroCup”.

Kështu që, kur Prishtina i bëri ofertën Xhanajt për të qenë pjesë e klubit edhe për dy vjet, ajo nuk hezitoi fare. Madje, thotë se duke pasur parasysh situatën aktuale të krijuar nga pandemia e koronavirusit, Prishtina ishte mundësia më e mirë për të që ta vazhdojë karrierën basketbollistike.

“Është e vërtetë që kam mbetur shumë e kënaqur me klubin në tërësi sa luajta edicionin e shkuar. Gjithsesi në një situatë të tillë ku gjërat janë të papërcaktuara e kam menduar si mundësinë më të mirë”, është shprehur Xhanaj.

Xhanaj shquhet për gjuajtjet e sakta, gjë të cilën e pranon edhe vetë: “mendoj që elementi që më specifikon në lojën e basketbollit është gjuajtja”.