Blandine Xhemajli ishte bërë gati për t’u paraqitur në garën më të veçantë të saj në sportin e kajakimit. Mezi priste ta përfaqësonte Kosovën në garën që mbahet javën e ardhshme në Spanjë.
Por, Blandinës iu mohua pjesëmarrja për shkak të qëndrimit diskriminues që ka Spanja ndaj sportistëve të Kosovës. Ajo nuk u lejua të paraqitet me simbole të shtetit dhe nuk do të udhëtojë për në Spanjë.
Sportistja e lindur në Francë pranon zhgënjimin.
“Nuk jam përballur kurrë me diskriminim të tillë, është shumë dëshpëruese. Mendoj edhe për sportistët e tjerë të sporteve të ndryshme që janë përballur me padrejtësi. Shpresoj që kjo do të ndryshojë shpejt. Është mëkat që një sportisti në këtë shekull t’i mohohet një e drejtë njerëzore. Lufta e komunitetit sportiv është të mos ketë ndërhyrje në sport, por ja që politika ende ka ndikimin e saj. Kjo nuk është e pranueshme për ne sportistët dhe uroj të mos kemi telashe të tilla edhe në të ardhmen”, ka thënë Xhemajli për KOHËN.
Blandina me kajak ka nisur të merret prej moshës 11-vjeçare.
“Xhaxhai, i cili kishte kajak, nisi të më ushtronte dhe që atëherë nuk jam ndalur duke punuar me përkushtim të madh për t’i arritur synimet”, ka treguar Blandine Xhemajli. Ajo garon në disiplinën e sllallomit.
Në fakt, gara në sportin e kajakut janë zhvilluar në Kosovë shumë dekada më parë, sidomos në Mitrovicë. Sporti më pas ishte për shumë kohë joaktiv në Kosovë. Por së fundi po bëhen përpjekje nga federata për ta rritur këtë sport atraktiv. Angazhimi i sportistëve me rrënjë nga Kosova që jetojnë në vende të tjera është prej prioriteteve.
“Kam praktikuar disa disiplina të kajakut, por para dy vjetësh nisa në sllallom dhe më pëlqen shumë”, thotë kajakistja e lindur në Francë, Xhemajli.
Babai i saj është nga Kosova, derisa nënën e ka franceze. Blandine tregon se pak njerëz të familjes së saj ka pasur rastin t’i takojë, ndërsa shqipen nuk e flet shumë mirë. Por, ajo tashmë ka tjetër arsye të fortë për t’i vizituar më shpesh familjarët në Kosovë.
Ajo është krenare që i është dhënë mundësia ta përfaqësojë Kosovën.
“Përzgjedhjet në Francë janë shumë të komplikuara dhe nuk më pëlqen kjo gjë. Dhe kur kuptova që Kosova është anëtare në federatën ndërkombëtare të kajakut, i thashë vetes se duhet ta provoja fatin. Jam shumë krenare që do ta përfaqësoj Kosovën”, ka thënë Xhemajli që nuk ka ndonjë rezultat të rëndësishëm në gara ndërkombëtare.
Ajo pret që Kosovën në një të ardhme ta përfaqësojë në Botërore dhe Lojëra Olimpike. Debutimin te Kosova nuk e ka bërë ende.
“Nuk kam ndonjë rezultat të rëndësishëm ende. Por, qëllimi im është që t’i bëj ngjyrat e Kosovës të shndritin nëpërmjet garave të rëndësishme si Kampionatet Botërore apo Lojërat Olimpike. Jam duke punuar maksimalisht që edhe unë të jem pjesë e ekipit të Kosovës që do të marrë pjesë në ngjarjet e mëdha sportive”, është shprehur Blandine Xhemajli.
Ajo studion për sporte në Francë, ndërsa në të ardhmen dëshiron të bëhet trajnere e kajakut. Merret edhe me sporte të tjera, si noti, ngjitja dhe vrapimi.
“Më pëlqen shumë natyra, veçanërisht lumenjtë malorë. Do të doja t’i provoja të gjithë lumenjtë malorë të Kosovës”, ka thënë Xhemajli.
Federata e Kajakimit të Kosovës është formuar në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 u bë anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare. Sporti i kajakimit ka traditë në Kosovë që nga viti 1948.