Te skuadra e Empolit kanë pranuar se e kanë të vështirë ta mbajnë në ekip mesfushorin Kristijan Asllani edhe për sezonin e ardhshëm. Presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi, në një intervistë për “Sky Sports”, ka thënë se shpreson që Asllani të jetë pjesë e ekipit në edicionin 2022/23.
Ai ka zbuluar se interesim për Asllanin nuk ka vetëm nga ekipet e Series A, por nga gjithë Evropa. Së fundmi, është raportuar se në garë të fortë për Asllanin, janë Interi dhe Milani. 20-vjeçari këtë edicion është promovuar në ekipin e parë të Empolit dhe ka treguar paraqitje të mira në kampionatin italian, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim në 22 ndeshje.
“Ai ka fituar një vend në Serie A. Ai na bindi në gjithçka dhe shpresojmë ta kemi në dispozicion edhe për një sezon tjetër”, ka thënë Corsi.