Një dekadë më parë, Unai Emery, ishte duke folur për ëndrrën e tij që një ditë ta fitonte trofeun e Ligës së Kampionëve. Atëbotë spanjolli ishte trajner i Valencias, ekip që gjendej në fazën e grupeve, një vit pasi kishte arritur në 1/8 e finales nën drejtimin e Emeryt.
Emery nuk arriti të avanconte nga faza e grupeve sikurse një vit më parë, kështu që suksesi më i madh i tij në Champions mbetet 1/8 e finales. Ai nuk arriti më shumë edhe me klubet e tjera që udhëhoqi pas Valencias si Spartaku i Moskës, Sevilla, Paris Saint-Germaini e Arsenali.
Tani Emery është te Villarreali. Te kjo skuadër i është ofruar një mundësi tjetër. Ekipi i vogël spanjoll e pret Juventusin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, të martën mbrëma. Këtë ndeshje, që nis në orën 21:00, Villarreali e luan në shtëpi.
“Nuk mund të luash në Ligën e Kampionëve çdo vit, kështu që duhet ta shijosh atë kur të vijë mundësia të luash”, tha Emery të hënën në konferencën për shtyp. “Duhet të japësh gjithçka nga vetja në këtë fazë. Nuk jemi favoritë, por kemi treguar se mund t'i kalojmë skuadrat e nivelit të Juventusit. Ne kemi treguar se meritojmë të jemi këtu ku jemi tani”.
Për herë të parë në 13 vjetët e fundit, Villarreali po paraqitet në 1/8 e finales. Vlerësohet autsajder përballë Juventusit, ekip që para pesë vjetësh ishte në finale, por që në dy edicionet e fundit nuk ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të kësaj gare.
Edhe
Emery është rikthyer në Angli për të dëshmuar se Arsenali gaboi
“Asgjë nuk është vendosur ende dhe nuk është e sigurt. Villarreali po kalon një moment të mirë, sikurse edhe ne. Villarreali është një ekip shumë teknik dhe me një trajner të madh. Do të jetë një ndeshje taktike, në të cilën u duhet kushtuar rëndësi detajeve dhe të kemi durim”, ka thënë trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.
Kjo do të jetë përpjekja e katërt e Emeryt për të arritur në çerekfinale, pas dështimit me Valencian në vitin 2011 dhe dy herë me PSG-në, në vitet 2017 dhe 2018. Në tri paraqitjet e tjera në Champions, Emery nuk arriti të avancojë përtej fazës së grupeve – me Valencian (2011/12), Spartakun e Moskës (2012/13) dhe Sevillan (2015/16). Ai nuk arriti në fazën e grupeve me Villarrealin edicionin e kaluar, por as me Arsenalin dy vitet e mëhershme.
Suksesi evropian i Emeryt ka ardhur në garën e nivelit të dytë të UEFA-s, Ligën e Evropës. Ai trofeun e Ligës së Evropës e ka fituar katër herë, tri herë me Sevillan dhe një herë me Villarrealin. Ndërsa me Arsenalin është mposhtur në finalen e vitit 2019.
“Gjithmonë më pëlqen të përpiqem të mësoj nga të tjerët, por nuk e humb kurrë thelbin tim”, tha Emery. “Ka shumë sekrete për të qenë i suksesshëm dhe i imi është të punoj gjithmonë shumë”.
Spanjolli nuk ishte në gjendje të lulëzonte në PSG dhe gjithashtu nuk mund të përmbushte pritjet në Arsenal, ku shpesh u tall për anglishten e dobët, ndërsa duronte detyrën e vështirë për të pasuar trajnerin Arsene Wenger.
Emery udhëhoqi Villarrealin drejt fazës së nokautit nga një grup që përfshinte Manchester Unitedin, Atalantan dhe Young Boysin, ndërsa Juventusi i Allegrit përparoi nga një grup me Malmon, Zenitin e Chelsean.
Edhe
Villarreali më shumë krenar sesa i mërzitur pas eliminimit në Champions
“Gjasat për të kaluar në çerekfinale përballë një ekipi si Villarreali janë 50 me 50. Po ashtu Villarreali do ta ketë edhe përkrahjen e publikut dhe duhet të japim gjithçka nga vetja për një rezultat pozitiv, që nuk do të jetë lehtë”, shtoi trajneri i Juves, Allegri.
Villarreali, gjysmëfinalist i vitit 2006 në Champions, nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Në ekip është kthyer sulmuesi Arnaut Danjuma që për gati dy muaj ishte jashtë fushës shkaku i lëndimit. Holandezi shënoi “hat-trick” vikendin e shkuar në fitoren kampionale 4:1 ndaj Granadas.
Juventusi, që dy edicionet e kaluara u eliminua në 1/8 e finales nga Lyoni dhe Porto, në këtë ndeshje futet pas dy barazimeve në Serie A dhe do të jetë pa sulmuesin Paulo Dybala e mbrojtësin Giorgio Chiellini.
Të martën mbrëma zhvillohet edhe ndeshja ndërmjet Chelseat dhe Lillet. Te kampioni në fuqi i Francës, Lille, për këtë përballje në ekip është përfshirë reprezentuesi i Kosovës, Edon Zhegrova.
“Ne jemi konkurrentë kështu që nuk do të shkojmë atje vetëm për të qenë sparing partner i Chelseat, kjo është e sigurt”, tha trajneri i Lillet, Jocelyn Gourvennec. “Chelsea është një ekip i mrekullueshëm, por ka gjithmonë surpriza në ndeshjet evropiane. Dhe ne duam të jemi ata që bëjnë surpriza, siç kemi qenë që nga fillimi i kësaj sezoni në Champions”.
E martë (21:00)
Edhe
Shpresat e Villarrealit për Evropë varen nga ndeshja me Liverpoolin
Villarreal – Juventus
Chelsea – Lille