Mundëset Elsa Nikoci dhe Lonisa Reka janë fjalëpakë. Por garueset e klubit Kaçaniku kanë synime e ëndrra të mëdha. Elsa e Lonisa synojnë arritjet e kampiones olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi.
Ato e dinë se u duhet punë shumë e madhe për t’iu afruar nivelit të Majlindës.
“Do të mundohem të bëhem kampione olimpike si e pëlqyera ime, Majlinda Kelmendi. Mundohem që të mos ndalem edhe pse ka sfida dhe sprova të rënda. Por mundohem sa më lehtë dhe sa më mirë t’ia dal të arrij rezultate kulminante në këtë sport”, ka thënë Elsa Nikoci.
Ajo në korrik të vitit të kaluar në Evropianin U15 zuri vendin e pestë. Kurse në tetor në Kampionatin Ballkanik zuri vendin e dytë.
E dyta e Ballkanit për grupmoshën U15 ishte edhe Lonisa Reka. Në Evropian ishte e shtata.
“Në vitin e kaluar kam pasur rezultate më të mira se vitet e tjera. Në korrik është mbajtur Evropiani. Pas dy luftërave të fituara kam arritur të dal e pesta në Evropian për U15. Kam pritur të hyj në zonën e medaljeve. Ka qenë dëshpërim, por nuk jam ndalur dhe kam punuar maksimalisht. Në Rumani pastaj në Kampionatin Ballkanik zura vendin e dytë”, ka treguar Elsa Nikoci.
Ajo dhe Lonisa Reka shpresojnë që në Evropianin që do të mbahet në Hungari në korrik t’i sigurojnë medalje të arta Kosovës.
“Shpresoj që ky është vetëm fillimi ynë. Synoj të arrij më shumë, të bëhem kampione olimpike, evropiane. Nuk e kam pasur të lehtë të shpallem nënkampione e Ballkanit, pasi ka pasur shumë shtete pjesëmarrëse”, është shprehur Lonisa.
Besimin se mund t’i siguroj Kosovës medalje, Lonisa Reka e ka pasur që nga ditët e para kur ka nisur të merret me mundje, sportin jo të lehtë e të ngjashëm me xhudo.
“Kam ushtruar në fillim gjimnastikë, por kam parë veten në sportin e mundjes. Kam filluar t’i përkushtohem më shumë sportit të mundjes dhe kam parë që mund të arrij larg”, ka thënë Lonisa Reka.
Dy mundëset kaçanikase ka disa ditë që po marrin pjesë në një grumbullim në Prishtinë.
Grumbullimin me gjeneratën U15 e drejtojnë trajnerët Mustafë Syla, Avdi Syla dhe Ferat Ramadani. Nga afër grumbullimin e përcolli edhe kryetari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja.
“Besoj që presim rezultate edhe më të mira. Nga këto dy vajza edhe në Evropian, edhe në Ballkanik do të marrim medalje”, ka thënë trajneri Avdi Syla.
Krahas Rekës dhe Nikocit, shpresë e mundjes vlerësohet edhe Lon Ramadani. Kosovës i kanë munguar rezultatet kulmore në mundje, me gjithë traditën.
Jo shumë vajza merren me mundje në Kosovë.