Akil Gjakova nuk i është afruar zonës së medaljeve në garën e parë pas mungesës prej nëntë muajve. Xhudisti kosovar u ndal në rundin e dytë në Grand Slamin në Antalya të Turqisë. Gjakova garoi të shtunën në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa përjetoi eliminim të pafat.
Në luftën e dytë përballë e kishte ukrainasin Vladyslav Kazimirov. Ndaj tij zhvilloi luftë të mirë, ndërsa ishte duke udhëhequr me uazari. 30 sekonda para fundit realizoi hedhje tjetër, por pati kontakt me kokë në tatami. Kontakti me kokë në tatami vlerësohet lëvizje e rrezikshme për shëndetin e xhudistit dhe për këtë arsye Akili u eliminua. Tutje shkoi Kazimirov.
Në raundin e parë, Gjakova e kaloi meksikanin Gilberto Cardoso. E kishte kontrollin në luftë, ndërsa fitoi me uazari.
Gjakova nuk kishte garuar prej qershorit të vitit të kaluar. I ishte nënshtruar një operimi në krah dhe më pas ka pasur fazë të gjatë rikuperimi. Gara në Antalya ishte test për të parë nivelin e tij dhe po ashtu test para Kampionatit Botëror.
Në kategorinë deri 73 kilogramë garoi edhe Dardan Cena. Ai u ndal në luftën e parë nga holandezi Koen Heg. Xhudisti i ri, Cena, ishte duke udhëhequr me uazari, por një moment pakujdesie i kushtoi me humbje. Heg realizoi aksion për “Ippon”.
Akil Gjakova e Dardan Cena ishin dy xhudistët e vetëm të Kosovës në garën që po mbahet në qytetin bregdetar të Turqisë.
Trajneri Driton Kuka nuk ka dërguar në këtë garë xhudistet. Pas një kohe shumë të gjatë, Kosova ka mbetur pa medalje në një garë elitare ku mori pjesë.
Tashmë i gjithë fokusi do të jetë te Kampionati Botëror që mbahet në Doha të Katarit prej 7 deri më 13 maj. Ekipi i Kosovës do të jetë i përbërë nga shumë xhudistë, ndërsa synohen medaljet.
Në Antalya po garojnë 600 xhudistë nga 83 shtete të ndryshme.