Sport

Akil Gjakova kthehet pas nëntë muajsh mungesë

 

Prishtinë, 30 mars – Pas mungesës prej nëntë muajsh, Akil Gjakova këtë fundjavë kthehet në garat e xhudos. Më 30 qershor të vitit të kaluar ai ishte paraqitur në garën e xhudos në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë, ndërsa kishte fituar medaljen e bronztë. Për të bronztën e kishte mposhtur italianin Manuel Lombardi. 27-vjeçari ka munguar prej atëherë. I është nënshtruar një operimi të krahut dhe tani është i gatshëm për kthim në gara.

Xhudisti më i mirë në vend do të paraqitet në Grand Slamin që prej të premtes e deri të shtunën do të mbahet në Antalya të Turqisë. Akili vazhdon të garojë në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa paraqitet të shtunën.

Për shkak të mungesës së gjatë nga garat, Gjakova ka rënë në vendin e 60-të në ranglistën botërore. Rrjedhimisht nuk është në mesin e bartësve. Akil Gjakova e nis garimin prej xhiros së parë, ndërsa fillimisht do ta ketë përballë Gilberto Cardoson e Meksikës.

Në qytetin bregdetar turk garon edhe Dardan Cena. Edhe Cena garon në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa në xhiron e parë përballë do ta ketë holandezin Koen Heg.

“Po pres të shoh se si do të kthehet Akili në gara. Ndërkohë Dardani po kalitet në elitën botërore”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Kategoria deri 73 kilogramë vlerësohet prej kategorive me konkurrencën më të madhe. Plot 60 xhudistë garojnë në Antalya në këtë kategori.

“Për Akilin është një test i rëndësishëm pas kthimit nga lëndimi. Pres që ai të kthehet ngadalë në formë”, ka shtuar trajneri Kuka.

Ai ka vendosur të mos i dërgojë xhudistet në Antalya. Për to me prioritet është të përgatiten për Kampionatin Botëror që mbahet pas një muaji. Javën e kaluar në Grand Slamin në Tbilisi medalje të argjendta fituan Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu. Të tria janë adutë për medalje edhe në Botërorin që mbahet në Doha të Katarit prej 7 deri më 13 maj.

Grand Slami në Antalya është gara e fundit e Turit Botëror të Xhudos para Botërorit, ngjarjes kryesore të vitit. Paraqiten 600 xhudistë nga 83 shtete.

Akil Gjakova është sportisti më i suksesshëm kosovar. Në Lojërat Olimpike të Tokios u rendit i shtati. Në vitin 2021 ka fituar titullin e kampionit të Evropës, ndërsa më herët ka fituar edhe Grand Slamin e Parisit. Në dy vjetët e fundit ka garuar më pak, kryesisht për shkak të lëndimit, ndërsa trajneri Driton Kuka pret që në Antalya të marrë sinjale pozitive nga Akili pas mungesës së gjatë.