Tetë fitore. Kjo është gjithçka që e ndan Liverpoolin me ndoshta arritjen më të madhe në historinë e futbollit të klubeve.
“Katër trofetë” - kjo arritje në dukje e vështirë për fitimin e katër trofeve të mëdha në një edicion - është objektivi që të gjitha skuadrat kryesore në Angli kanë në fillim të çdo kampionati. Por duke pasur parasysh vështirësitë në skuadër, si mungesa e fatit dhe dëmtimet, ideja për të fituar Ligën e Kampionëve, Premier Leaguen, Kupën FA dhe Kupën e Ligës zakonisht tretet para se të fillojë mirë edicioni. Në të vërtetë, në fillim të këtij edicioni bastet ofronin gjasat minimale që Liverpooli të fitonte katër trofe (3000-1). Tani shanset janë 8-1 dhe te Liverpooli po besojnë për një sukses të tillë.
Tashmë fitues i Kupës së Ligës pasi mposhti Chelsean me penallti në finalen e shkurtit, Liverpooli është në finalen e Kupës FA - ku do të përballet sërish me Chelsean - dhe është favorit i madh për të shkuar në finalen e Ligës së Kampionëve pas fitores 2:0 në ndeshjen e parë ndaj Villarrealit. Gara e fundit dhe më e vështira mbetet ajo për titullin e kampionit në Premier League. Diferenca mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit është vetëm në një pikë, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund.
“Nuk dua t’i ndal emocionet apo njerëzit që të rrëmbehen nga emocionet, nuk kam fare problem me këtë”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp. “Unë i njoh njerëzit tanë mjaft gjatë, ata janë gjithashtu realistë, por ata janë gjithmonë të gatshëm të ëndërrojnë kur ka pak mundësi për të ëndërruar”.
Mirëpo, nuk është më një ëndërr. Çuditërisht është një mundësi reale. Fitimi i Kupës Evropiane, ligës vendore dhe dy garave të kupave vendore është diçka që asnjë ekip në pesë ligat më të mira të futbollit evropian - Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë - nuk e ka arritur ndonjëherë. Në ditët e sotme është e pamundur për shumicën e ekipeve duke qenë se Anglia është i vetmi nga pesë vendet që ka ende dy gara për kupë. Franca hoqi kupën e saj të Ligës - Coupe de la Ligue - në vitin 2020. Gjermania e bëri këtë në vitin 2007 dhe Spanja nuk e ka pasur një Kupë të Ligës ekuivalente që nga viti 1986.
Megjithatë, një sukses i tillë i fitimit të katër trofeve është arritur nga Celticu apo nga gjenerata që ndryshe njihet me nofkën “Luanët e Lisbonës”, në sezonin 1966/67. Skuadra e madhe skoceze fitoi të tre trofetë vendorë përpara se të mposhtte Interin në finalen e Kupës Evropiane në Lisbonë. Duke marrë parasysh natyrën rraskapitëse të sezonit anglez, kjo arritje e Liverpoolit do të ishte diçka madhështore. Përveç Celticut, tetë skuadra të tjera e kanë fituar “tripletën” me Kupën Evropiane, kampionatin dhe kupën vendase: Ajaxi (1971/72), PSV Eindhoveni (1987/88), Manchester Unitedi (1998/99), Barcelona (2008/09) , Interi (2009/10), Bayerni (2012/13), Barcelona (2014/15) dhe Bayerni (2019/2020).
-
Liverpooli kthen sytë kah Liga e Evropës, Championsi duket larg
-
Orari i ngjeshur ka lënë gjurmë te Liverpooli, që po synon katër trofetë
-
Liverpooli e luan finalen e radhës në vikend
-
Klopp ende beson në gjasat e Liverpoolit për titull
-
Liverpooli “tregon muskujt” për të mbetur në garë për katër trofetë