Kastriot Imeri është emër i ri në përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Imeri të dielën mbrëma është ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A të zviceranëve. Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja, ndërsa tani është ftuar edhe nga përfaqësuesja e të rriturve.
21-vjeçari Imeri luan në mesfushë, ndërsa është pjesë e Servettes.
Për Zvicrën U21 i ka luajtur 12 ndeshje dhe ka realizuar një gol. Për Zvicrën U20 i ka tri paraqitje, ndërsa për U19 ka luajtur shtatë herë dhe ka realizuar një gol. Ka dy ndeshje me U18, pesë me U17 dhe tri me U16. Pra është rritur në sistemin e futbollit zviceran, si pjesë e përfaqësueseve.
Këtë edicion Imeri po kalon formë të lartë. Në dhjetë paraqitje ka realizuar katër gola. Golin e fundit e shënoi të dielën në humbjen 2:1 të Servettes nga Zuerichu.
Paraqitjet e mira i janë shpërblyer me ftesë nga Zvicra. Në të vërtetë Imeri është ftuar për të zëvendësuar lojtarë që mungojnë.
Zvicra luan me Italinë të premten, ndërsa me Bullgarinë takohet më 14 nëntor. Janë ndeshje vendimtare për kualifikim në Botërorin 2022.
Breel Embolo, Nico Elvedi, Christian Fassnacht dhe Gregor Kobel ishin në listën fillestare, por mungojnë për shkak të lëndimeve që i pësuan këtë fundjavë.
“Në vend të tyre Murat Yakin ka fituar tre lojtarë që të hënën do të jenë për herë të parë pjesë e ekipit senior nacional. Bëhet fjalë për portierin Philipp Koehn, mbrojtësin qëndror Bryan Okoh nga RB Leipzigu dhe mesfushorin Kastriot Imeri nga Servette”, ka njoftuar Federata zvicerane.
Imeri e Okoh ishin ftuar nga Zvicra U21 për ndeshjet e ardhshme. Tani janë zëvendësuar me lojtarë të tjerë.
Te Zvicra janë edhe Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri. Për shkak të lëndimit mungon Granit Xhaka. Me ftesën për Imerin, gjasat që ai të luaj për Kosovën thuajse nuk ekzistojnë. Ai është një tjetër lojtar të cilin e ka synuar Kosova.