Pas futbollisteve edhe futbollistët e Kosovës U16 kanë fituar turneun “UEFA Development”. Futbollistët e rinj luajtën në Shkup, ndërsa të dielën fituan 4:3 pas penalltive ndaj Taxhikistanit.
Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi 0:0. Sipas njoftimit të FFK-së, kjo fitore ia mundësoi Kosovës U16 vendin e parë në grup me 6 pikë.
Maqedonia e Veriut dhe Taxhikistani i kanë nga 4, ndërsa Hondurasi 3 pikë.
“Ky ishte një turne shumë i frytshëm për ne ngase patëm mundësi të shohim potencialin e futbollistëve të cilët do të na shërbejnë për kualifikimet e ardhshme të gjeneratës U17. Ndonëse kjo ishte hera e parë që ky grup i futbollistëve ishte së bashku dhe kishim vetëm pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur për këtë turne dhe luajtëm kryesisht me lojtarë vendorë, ia dolëm që me angazhim maksimal të gjithsecilit të dalim fitues të këtij turneu. I përgëzoj të gjithë futbollistët për paraqitjen dhe pres që të kemi rrugëtim të suksesshëm me këtë gjeneratë”, ka thënë përzgjedhësi Arsim Abazi.