Nuk është shumë i madh numri i përfaqësueseve të futbollit me të cilat Kosova ka histori, përkatësisht ndeshje të zhvilluara.
Deri në vitin 2014, kur mori leje nga FIFA për miqësore, Kosova kishte fare pak ndeshje të vërteta, kryesisht me Shqipërinë, shkruan sot Koha Ditore.
Në mars të vitit 2014 Kosova u përball me Haitin në miqësoren e parë zyrtare të saj, ndërsa me ndeshje kualifikuese nisi në vjeshtën e vitit 2016. Prapë në shtator nis kampanjën në Ligën e Kombeve, një garë e re kjo e Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Dhe nis me dy ndeshje me përfaqësuese ndaj të cilave megjithatë ka të kaluar.
Kosova luan me Azerbajxhanin më 7 shtator në Baku dhe më pas më 10 shtator e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe në Prishtinë.
Pikërisht me një ndeshje miqësore ndaj Ishujve Faroe nisi një periudhë e re për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Pak ditë pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, Kosova luajti ndeshjen ndaj Ishujve Faroe. Ai takim u zhvillua më 3 qershor të vitit 2016 në Frankfurt të Gjermanisë.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).