Titulli i parë evropian e ka motivuar maksimalisht xhudisten Laura Fazliu. Ajo të premten fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian U23 që u mbajt në Sarajevë. Në kampionatin kontinental për seniorët e rinj Laura garoi në kategorinë deri 63 kilogramë. I shënoi katër fitore për vend në majë të podiumit.
Suksesi në Sarajevë erdhi pas dëshpërimit që Laura e përjetoi në Botëror. Për shkak të një veprimi të palejuar, ajo u suspendua që në luftën e parë. Dhe ishte e vendosur që të reagojë për të dëshmuar se është në rrugën e duhur.
Laura në qershor fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare, ndërsa në prill ishte e dyta në Evropianin për seniorë, që mbetet suksesi më i madh i saj deri më tani.
Vjet fitoi medalje bronzi në Grand Prix të Zagrebit dhe në European Open, po ashtu në Zagreb. Në vitin 2020 ishte e treta në Evropianin U23, e dyta në Evropianin e juniorëve. Ndërsa në vitin 2019 fitoi medalje bronzi në Evropianin dhe Botërorin e juniorëve.
22-vjeçarja tani po shikon para drejt sukseseve të reja, edhe më të mëdha.
“Jam shumë e kënaqur me medaljen e artë. Unë i gëzohem çdo rezultati, mirëpo medalja e artë është diçka e veçantë për mua. Sidomos për faktin që erdhi pas një eliminimi në Kampionatin Botëror, që nuk e kam pritur aspak”, ka thënë Laura Fazliu të shtunën për KOHËN.
Të premten garoi edhe Erza Muminoviq, që u rendit e pesta. Dardan Cena u ndal në luftën e parë. Të shtunën, Shpati Zekaj u ndal në luftën e parë kurse Rios Kuka kaloi pengesën e parë për t’u ndalur në të dytën.
Por Laura u kujdes që edhe një ngjarje e rëndësishme të përfundojë me sukses për Kosovën. Për të ishte e arta e parë në ngjarje të rëndësishme të xhudos.
“Ky vit ishte më i suksesshmi në karrierën time të deritashme. Mirëpo, unë ende nuk jam e kënaqur sepse qëllimi im është të jem mes garueseve më të mira në botë. Pse jo edhe të fitoj medalje olimpike e të vazhdoj rrugën e Majlindës, Disit, Norës”, ka shtuar Fazliu.
Ajo ushtron së bashku me tri xhudistet kampione olimpike, ndërsa për trajner e ka Driton Kukën, që i ka dërguar në nivelin më të lartë të mundshëm Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën e Distria Krasniqin.
Në Sarajevë, Laura nga këndi i trajneres këshillohej prej Majlindës, ndërsa Driton Kuka i jepte këshilla nga tribunat.
“Kjo medalje për mua është një motiv shtesë dhe gjithashtu tregon se jam në rrugën e duhur, drejt sukseseve të reja. Është e veçantë për mua, sepse është e para nga kampionatet”, ka thënë Laura Fazliu.