Xhudoja kosovare ka arritur tjetër sukses të rëndësishëm të hënën. 

Xhudistja Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Budapest të Hungarisë. 24-vjeçarja është e treta në botë në kategorinë deri 63 kilogramë.
Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti brazilianen Nauana Silva. Ndaj 22-vjeçares fitoi me Ippon të bukur.

Botërori nuk erdhi në momentin më të mirë për medalisten e bronztë olimpike, Fazliun.
Ajo kishte pësuar lëndim më 7 mars në Grand Prix të Austrisë dhe nuk kishte garuar që nga atëherë. Për këtë arsye nuk ishte plotësisht e qartë forma e saj, ndonëse fazën përgatitore e kishte të mira. 
Laura ishte bartëse e katërt. Në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti polaken e papërshtatshme Natalia Kropska. Ndaj saj nisi luftën ngadalë, duke gjetur ritmin gradualisht. Në minutën e fundit të luftës mbërtheu dorën e polakes dhe fitoi me Ippon.

E fortë ishte edhe lufta ndaj italianes Carlotta Avanzato. Por Laura kishte iniciativën, ndërsa pak para fundit realizoi hedhje të bukur për fitore me Ippon.

Në çerekfinale xhudistja kosovare e kishte përballë legjendën braziliane, Rafaela Silva. Silva është ish-kampione olimpike dhe fituese e dy medaljeve të arta botërore, ndër të tjera. Derisa po testonin forcën e njëra-tjetrës, braziliania me përvojë e zuri të papërgatitur Laurën dhe e hodhi bukur për fitore me Ippon. Lufta zgjati vetëm 49 sekonda.

Në repesazh, Fazliu fillimisht ësthë dashur të përballet me mongolen Enkhriilen Lkhagvatogoo. Por mongolja nuk doli fare në tatami për shkak të një lëndimi të dorës që e pësoi në luftën paraprake. Kështu fitorja pa luftë i takoi kosovares.

Medalje të bronztë Laura fitoi edhe në Botërorin e vitit të kaluar. Më pas fitoi edhe të bronztën olimpike. Ka edhe një medalje të argjendtë e një të bronztë në Kampionate Evropiane. Në turnetë Masters ka një të artë e një të argjendtë, ndërsa ka fituar pesë medalje në garat e nivelit Grand Slam e Grand Prix.

Laura një fitore larg medaljes së bronztë

1 muaj më parë / 16 qer 2025 15:41
Laura Fazliu

Laura Fazliu e ka kaluar pa luftë raundin e parë të repesazhit në kategorinë deri 63 kilogramë në Botërorin e xhudos.

Laura është dashur të përballet me Enkhriilen Lkhagvatogoo të Mongolisë.

Por mongolja pësoi lëndim të dorës në luftën e kaluar dhe nuk doli fare në tatami.

Kështu Laura është vetëm një fitore larg medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian.

Laura mposhtet nga legjenda braziliane, e kërkon të bronztën

1 muaj më parë / 16 qer 2025 15:03
Lura Fazliu

Laura Fazliu është ndalur në çerekfinale të Kampionatit Botëror. U mposht nga legjenda braziliane Rafaela Silva.

Që në minutën e parë, në aksionin e parë të vërtetë, Silva e zuri të papërgatitur Fazliun dhe realizoi hedhje të bukur për Ippon.

Silva u kualifikua në gjysmëfinale, ndërsa Fazliu do ta kërkojë medaljen e bronztë përmes repesazhit. Për këtë i duhen dy fitore.

Fillimisht do të përballet me Enkhriilen Lkhagvatogoo.

Silva ka medalje të artë olimpike nga Rio 2016. 33-vjeçarja ka edhe dy tituj të botës dhe shumë medalje të tjera të vlefshme.

Laura fiton me super-hedhje

1 muaj më parë / 16 qer 2025 13:53
Laura Fazliu

Laura Fazliu ka arritur në çerekfinale të Kampionatit Botëror të xhudos.

Në luftën e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti italianen Carlotta Avanzato.

Lufta ishte e fortë, por Laura e kishte iniciativën. Në minutën e fundit realizoi hedhje të bukur për fitore me Ippon.

Laura është prej favoriteve dhe me secilën luftë që e zhvillon po e gjen ritmin më shumë.

VIDEO:

Laura Fazliu fillon me fitore me Ippon

1 muaj më parë / 16 qer 2025 12:47
Laura Fazliu

Laura Fazliu e ka fituar luftën e parë në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest.

Në xhiron e dytë të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti polaken Natalia Kropska. 

Ndaj saj fitoi me Ippon, të cilin e realizoi me mbërthim. 

Për shkak se ishte e lënduar, Laurës i është dashur pak kohë për të gjetur ritmin. 

Pas një dueli të fortë, mbërtheu dorën e polakes, që u dorëzua.

Laura është prej favoriteve të kategorisë deri 63 kilogramë.