Një moment fatkeq e kishte ndalur herët rrugëtimin e Laura Fazliut në Kampionatin Botëror të xhudos, më herët këtë muaj. Laura ishte suspenduar që në luftën e parë, për një lëvizje të palejuar. Kjo bëri që trajneri Driton Kuka të nervozohet me Laurën. Ai e kritikoi edhe publikisht xhudisten që po ngjitet gjithnjë e më lart.
Trajneri Kuka ka pritur reagim të menjëhershëm nga xhudistja 22-vjeçare dhe ai erdhi të premten. Xhudistja mitrovicase, që xhudon po e përsos në Pejë, ka fituar medaljen e artë në Evropianin për seniorë të rinj, U23.
Kampionati Evropian U23 po mbahet në Sarajevë, ndërsa Laura siguroi majën e podiumit në kategorinë deri 63 kilogramë. Më herët këtë vit, Laura fitoi titullin e kampiones në Lojërat Mesdhetare, ndërsa fitoi edhe medaljen e argjendtë në Evropianin për seniorë.
Të artën, Laura e fitoi në mënyrë dramatike. Ishte duke pësuar nga gjermania Annabelle Winzig. Gjermania realizoi fillimisht uazari. Laura megjithatë nuk u zmbraps dhe barazoi me një uazari. Pak sekonda para fundit, Laura realizoi hedhje të bukur për Ippon.
Është medalja e parë e artë e Laura Fazliut në kampionate evropiane.
Laura në rundin e dytë e kaloi lituanen Aida Vasiliauskaite. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për Ippon. Më pas e mposhti italianen Flavia Favorini, po ashtu me hedhje për Ippon. Në gjysmëfinale e kaloi hungarezen Brigitta Varga, të cilën e mposhti me uazari.
“Nuk ka dilema që Laura ka potencial të madh. E kam thënë që duhet të punojë shumë taktikisht. Kur ta përmirësojë anën taktike, ajo duhet të jetë në pesë më të mirat në botë. Jemi duke punuar seriozisht në këtë drejtim”, ka thënë për KOHËN trajneri Driton Kuka. Ai përcolli nga tribunat paraqitjen e Laurës në Sarajevë. Në këndin e trajneres ishte Majlinda Kelmendi.
Laura vjet ka fituar medalje bronzi në Grand Prix të Zagrebit. Në Evropianin U23 kishte fituar medalje të bronztë në vitin 2020, ndërsa ka medalje të mëdha në grupmoshën e junioreve. Ishte e treta në botë në vitin 2019, ndërsa në Evropianin e junioreve ka një medalje të bronztë në vitin 2019 dhe një të argjendtë në vitin 2020.
“Jam vërtet e lumtur. Është hera e parë që fitova titullin në U23. Kam ushtruar shumë fortë për këtë medalje dhe për këtë garë. Shpresoj që nuk do të jetë titulli i fundit dhe shpresoj se do të vazhdoj kështu. Kam pasur besim se do ta fitoja të artën sot. Në Evropianin e senioreve nuk ishte kaq qetë. Isha e stresuar, emocionale dhe ishte finalja e parë seniore për mua. Në finale sot u frikësova pasi mendova që gjyqtari dha Ippon, por ishte uazari. Isha shumë e lumtur për këtë. Kur realizova hedhje dhe fitova, isha shumë e lumtur. Isha e relaksuar dhe ishte ndjenja më e mirë”, ka theksuar Laura Fazliu.
Të premten garuan edhe Erza Muminoviq, që u rendit e pesta në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Dardan Cena, që u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 73 kilogramë.
“Erza është paraqitur mirë. Ishte afër medaljes dhe jam i kënaqur me paraqitjen e saj. Dardani bëri gabim. U ngut dhe kjo i kushtoi. Në përgjithësi është kjo gjenerata që po vjen, po rritet për sfida të mëdha”, ka shtuar Driton Kuka.