Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

E arritura e veçantë e trajnerit nigerian të Prishtinës

Trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo, ka të fituar një titull kampioni. Është veteran i Ligës së Kampionëve dhe pionier i futbollit në Nigeri.

Ish-portieri i Nigerisë është ende i vetmi trajner nga vendi i tij që ka fituar titull kampioni në një ligë të Evropës. Egbo e arriti këtë me Tiranën, duke u shpallur kampion i Shqipërisë në edicionin 2019/20 dhe duke e çuar klubin në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Por udhëtimi i tij nuk mbaroi.

Egbo, tani 50-vjeçar, e ndihmoi Tiranën të kalonte raundin e parë kualifikues përpara se të humbte nga Cërvena Zvezda e Beogradit në raundin e dytë të kualifikimeve.

“Edhe për mua ishte befasi në atë kohë kur mësova se isha trajneri i parë nigerian që fitoi një titull në Evropë”, kujton Egbo, i cili sapo ka marrë drejtimin e Prishtinës. Ai ka folur në një intervistë për sajtin “Tribalfootball”.

“Isha i fokusuar më shumë për të bërë punën time dhe për të fituar për ekipin tim. Por në shtëpi u prit shumë mirë. Të gjithë më thërrisnin për këtë arritje dhe e dija se ky sukses mund të shërbente si motiv për trajnerët e tjerë nigerianë që të punonin shumë dhe të futeshin në Evropë”.

Tre vjet pas sigurimit të titullit në Shqipëri, Egbos i është besuar drejtimi i Prishtinës. Egbo po shpreson se emërimi i tij dy javë më parë në krye të klubit kosovar, mund të ndihmojë në ngritjen e profilit të nigerianëve në Evropë.

Pos në Shqipëri dhe tani Kosovë, Egbo pati përvojë edhe në Arabinë Saudite vitin e kaluar, ku mori drejtimin e ekipit të kategorisë së dytë, Ohod Al-Medina. Pas përvojës në Arabinë Saudite, Egbo thotë se drejtuesit e futbollit arab po bëjnë gjithçka që nevojitet për të bërë Ligën Pro Saudite më të mirën në botë.

“Ata kanë infrastrukturë të madhe atje, stadiume të shkëlqyera me të gjitha kërkesat e nevojshme që lojtarët e një niveli të lartë të mund të shkojnë dhe të lulëzojnë. Mund të them se në Azi, Saudi Pro League ka tejkaluar Kinën, Japoninë dhe tani është liga më e fortë në rajon”, thotë Egbo.

Egbo shton se nuk mund të harrohet transferimi i Cristiano Ronaldos tek Al-Nassr, një hap ky i madh, duke bërë që lojtarët e tjerë ta ndjekin. Ai shton se ndoshta suksesi i madh në Kosovë me Prishtinën, mund të nxisë interesimin e skuadrave saudite për kthimin e tij në Lindjen e Mesme në një të ardhme jo shumë të largët.

Me 12 paraqitje për Nigerinë dhe dy turne të Kupës së Kombeve të Afrikës, Egbo pranon se është e vështirë të përmendësh më shumë se vetëm një pjesë të vogël të lojtarëve të aftë nga vendi i tij për të luajtur për klubet më të mëdha të Evropës.

“Për dallim nga e kaluara, tani mund të përmendni vetëm disa lojtarë nigerianë që luajnë në Evropë si Victor Osimhen ose Victor Boniface. Gjatë kohës sime, ne kishim lojtarë që luanin për skuadra si Arsenali, PSG e Chelsea”, ka thënë ai.

Artikuj të ngjashëm