Të enjten e mbylli karrierën si juniore me medalje të argjendtë evropiane. Të hënën vazhdoi karrierën si seniore me medalje të bronztë evropiane. Muajin shumë të suksesshëm mund ta mbyllë me një rezultat kulmor – medalje në kampionatin evropian për seniorë.
Ekipi i xhudos vazhdon t’i sjellë vendit medalje nga garat e rëndësishme. Në Poreq të Kroacisë të hënën nisi kampionati evropian për seniorë të rinj, përkatësisht ai për grupmoshën U-23. Dhe falë Laura Fazliut, kjo ngjarje tashmë është e suksesshme për Kosovën. Ajo fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë, duke dominuar në luftë për medalje të bronztë. 20-vjeçarja ishte superiore karshi sllovenes Zarja Tavcar. Por vetëm në kohën shtesë realizoi aksion për fitore.
Laura e nisi ditën me fitore ndaj ruses Mariia Gryzlova. Ukrainasja Anastasiia Antipina ishte xhudistja e dytë e mposhtur nga Laura e pas saj pësoi edhe holandezja Nadiah Krachten. Në gjysmëfinale xhudisten e Driton Kukës e mposhti polakja Angelika Szymanska. Por Laura nuk u ndal dhe fitoi ndaj sllovenes Tavcar për medalje të bronztë.
Laura të enjten e zhvilloi garën e fundit si juniore. Po në Poreq fitoi medaljen e argjendtë, duke pësuar në finale.
Ajo është në ekip për Evropianin e seniorëve, që mbahet pas dhjetë ditësh në Çeki. Ndonëse është e matur para garës së madhe, Laura mund të befasojë dhe të përfshihet në luftë për medalje. Prej nxënësve të Driton Kukës, kjo pritet vazhdimisht.
Edhe
E arta në Evropianin U23 motivon Laurën, tani ëndërron medaljen olimpike
“Qëllimi është të jap maksimumin dhe të kem paraqitje sa më të mirë”, është përgjigjur Laura Fazliu kur është pyetur për synimet nga Evropiani në Çeki.
Laura Fazliu është nga Mitrovica, por ka kohë që është vendosur në Pejë në ndjekje të ëndrrës për sukses në xhudo. Deri më tani i ka ecur relativisht mirë, ndonëse trajneri Kuka pret edhe më shumë prej saj. Laura vjet fitoi medalje të bronztë botërore e evropiane për juniore. Tani ka fituar edhe për grupmoshën U-23.
“Të dy kampionatet kanë shkuar shumë mirë. Jam e kënaqur që kam arritur të jem në podium dy herë rresht. Në të njëjtën kohë po ndihem më e lehtësuar, sepse është përgjegjësi e madhe të prezantosh Kosovën, si dhe klubin tim”, ka shtuar Fazliu.
“Për të ardhmen synoj të kem sukses në arenën e senioreve dhe pse jo të fitoj edhe normën olimpike dhe t’i bashkohem ekipit olimpik në Tokio”, ka shtuar ajo.
Shtyrja e Lojërave Olimpike për vitin e ardhshëm mund të shkojë në favor të Laurës.
Trajneri Driton Kuka vlerëson faktin se xhudoja merr medalje prej secilës garë.
Edhe
E arta në Evropianin U23, dëshmi për potencialin e jashtëzakonshëm të Laurës
“Laura me dy medalje mbrojti prestigjin e xhudos së Kosovës. Normalisht dy gara për një kohë të shkurtër është pak më vështirë. Por mendoj që ka pasur potencial për të artën. Për analiza ka kohë, ndërsa me rëndësi është që medaljet po vijnë në Kosovë”, ka thënë Kuka për KOHËN.
“Është e rëndësishme vazhdimësia. Patjetër që Laura ka potencial, por edhe hapësirë për përmirësim. Kjo në fakt është vlerë, pasi mundësitë e saj janë të mëdha. Ajo ka shumë gjëra për të përmirësuar. Pra është larg prej limitit. Ende nuk po lufton as me 60 për qind të kapacitetit. Pak i mungon taktika e fokusi e më shumë teknika e hedhjes. Po pret shumë, që do të thotë se koncentrohet më shumë në kontra-teknikë. Duhet shumë punë, por ka potencial”, ka shtuar Kuka.