Sport

Laura Fazliu “i jep fund” karrierës si juniore me medalje të argjendtë evropiane

Në kampionatin e fundit të saj si juniore, Laura Fazliu ka arritur suksesin më të madh të deritashëm në skenën evropiane.

Xhudistja kosovare të enjten e fitoi medaljen e argjendtë në Evropianin për juniorë që po mbahet në Poreç të Kroacisë. 20-vjeçarja garoi në kategorinë deri 63 kilogramë, kurse në finale pësoi nga çekja Renata Zachova.

Kosova ka hise në “rritjen” e Renatas si xhudiste. Ajo ka qëndruar disa herë në Kosovë, së fundi javën e kaluar në një kamp të mbajtur në Pejë, në sallën e klubit Ippon. Laura në të kaluarën ka dominuar ndaj Renata Zachovas, por të enjten i kushtoi një moment pakujdesie. Pas 4 minutave luftë të barabartë, në kohën shtesë, çekja realizoi hedhje për “Ippon”. Kështu Laura Fazliu u desh të kënaqej me medaljen e argjendtë evropiane.

Deri në finale xhudistja mitrovicase shfaqi formë të lartë. E mposhti për 52 sekonda azerbajxhanasen Sudaba Aghayeva, ndërsa për vetëm 30 sekonda francezen Rania Drid. Në gjysmëfinale realizoi “Ippon” impresiv ndaj serbes Anja Obradoviq. Por formën e njëjtë nuk e përsëriti në finale.

“Jam e lumtur që arrita të fitoja medalje në kampionatin tim të fundit për juniore, edhe pse realisht qëllimi im ishte të bëhesha kampione e Evropës. Në finale jam përballur me çeken Zachova, të cilën e kam mundur në dy kampionatet e fundit. Mirëpo ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu si i paramendojmë”, ka thënë Fazliu për KOHËN. Ajo nuk ka harruar të falënderojë trajnerin Driton Kuka.

“Falënderoj trajnerin tim, Driton Kuka, për përkushtimin dhe besimin në mua. Ndihem krenare që e kam arsyetuar besimin e tij”, ka shtuar Fazliu, që ka konfirmuar se ky është viti i fundit i saj si juniore dhe se në vazhdim të karrierës e ka të drejtën të garojë vetëm në konkurrencën e të rriturave.

Trajneri Kuka ka pranuar se ka pritur medalje të artë nga Laura. Ai është shprehur i kënaqur që xhudoja e vazhdon traditën e sjelljes së medaljeve nga kampionatet zyrtare evropiane. Ky në fakt është kampionati i parë evropian në gjendje pandemie. Pas disa ditësh mbahet Evropiani U-23 e më vonë këtë muaj edhe ai për seniorë.

“Laura mposhti tri garuese e në finale humbi nga çekja Zachova, edhe pse llogaritej favorite. I mungoi ana taktike e luftës edhe pse ka më shumë cilësi se kundërshtarja”, ka shkruar Kuka. Ai e ka vlerësuar të argjendtën si sukses të madh për Laurën, me gjithë faktin se ka pritur të artë.

Në Zachovan federata çeke investon shumë. Që në vitin 2016 e kishte sjellë për një kamp në Kosovë. Ajo kishte folur me admirim për qëndrimin në Kosovë.

“Në janar ishim në një kamp stërvitor në Kosovës, ku kam pasur mundësi të ushtroj më shumë se një javë me idhullin tim, Majlinda Kelmendi. Ajo është jashtëzakonisht e fortë dhe pas një përvoje të tillë për mua ishte më lehtë të paraqitesha në gara”, kishte thënë Zachova në vitin 2016.

Në Evropianin për juniorë (U-21) po garojnë 356 xhudistë nga 37 shtete. Kosova ka garuar edhe me Erza Muminoviqin dhe Arbër Kullashin. Muminoviq të mërkurën u rendit e pesta në kategorinë deri 48 kilogramë, kurse Kullashi të enjten u ndal në luftën e tretë në kategorinë deri 81 kilogramë.

“Erza po ringjallet pasi për kohë të gjatë ishte pa suksese serioze. Vendi i pestë është plasman solid. Kullashi shënoi dy fitore, që jep sinjale pozitive për të ardhmen e tij”, ka theksuar Kuka.

Laura Fazliu vjet ishte e treta në Evropë e po ashtu e treta në botë për juniore. Prej saj tani priten medalje për juniore. Prej saj tani priten medalje te të rriturat.