Te Struga janë shprehuyr të dëshpëruar për eliminimin nga Zhalgirisi i Lituanisë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Të martën në Ohër, Struga udhëhoqi 1:0, por më pas pësoi dy gola.
“Sigurisht që na vjen shumë keq për eliminimin, bazuar në atë se çfarë dhamë në të dyja ndeshjet. Në të dyja ndeshjet kam mendimin se kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht pozitive, ndaj një skuadre kishte atë favor që pata thënë edhe para ndeshjes, si në eksperiencë, si në paraqitje, si në formë. Edhe sot paraqitja e skuadrës ka qenë jashtëzakonisht e mirë, kemi qenë gjithmonë në lojë, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Shënuam gol në momentin më të bukur. Ndoshta 2-3 minuta gaboi skuadra, sepse ishte ai moment që sa po doja të bëjë zëvendësimet dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha trajneri Shpëtim Duro. Ndërkohë Besart Ibraimi, që shënoi golin për Strugën, tha se kampionit shqiptar nga Maqedonia e Veriut i mungoi fati. “Mendoj se i dominuam të dyja ndeshjet, ku patëm shumë raste, por fati nuk ishte me ne. Golin e shënova në moment shumë të mirë. Në ata 2-3 minuta kur e pësuam golin na mungoi fati. Mirëpo këto skena janë pjesë e futbollit. Jemi të mërzitur, por kokën lartë, na presin ndeshje tjera”, ka theksuar Ibraimi.
Struga tani vazhdon në Ligën e Konferencës, Përballet me Buduqnostin e Podgoricës.