Mbrojtësi i krahut të djathtë, Denzel Dumfries, prej sezonit të ardhshëm do të jetë pjesë e Newcastle Unitedit, ka raportuar “Calciomercato” të mërkurën. Bëhet e ditur se Newcastle në parim ka arritur marrëveshje me Interin për transferimin e holandezit në fund të këtij edicioni.
Ekipi anglez për kartonin e tij ka pranuar të paguajë 60 milionë euro. Dumfries po shihet si përforcim i madh te Newcastle, ekip që po synon paraqitjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. 26-vjeçari iu bashkua Interit vitin e shkuar për 16 milionë euro nga PSV Eindhoveni dhe ka kontratë deri në vitin 2025.
Megjithatë, ai po synon kalimin në futbollin anglez dhe marrëveshja mes të gjitha palëve do të finalizohet vitin tjetër. Këtë edicion Dumfries ka dy gola e po aq asistime në të gjitha garat.