Gara mes sulmuesit të Ekuadorit, Enner Valencia, dhe sulmuesit të Holandës, Memphis Depay, mund të përcaktojë se kush e fiton ndeshjen mes këtyre përfaqësueseve në Kupën e Botës. Ndeshja Holanda – Ekuadori luhet të premten prej orës 17:00.
Dy sulmuesit kanë stile të ndryshme: Valencia është më i fuqishëm dhe më e drejtpërdrejtë, ndërsa Depay më delikat dhe më teknik. Por të dy janë shumë të rëndësishëm për përfaqësueset e tyre.
Një fitore për secilën skuadër do ta çonte në gjashtë pikë dhe do ta vendoste në krye të Grupit A, një ndeshje deri në fund të fazës së grupeve. Kjo ndeshje zhvillohet në “Khalifa International Stadium”. Valencia shënoi të dy golat e Ekuadorit në pjesën e parë në fitoren 2:0 ndaj nikoqirit Katarit në ndeshjen hapëse të turneut. Edhe pse ai doli kundër Katarit pas një goditjeje në gju, trajneri Gustavo Alfaro thotë se “Enner do të luajë kundër Holandës, nuk ka dyshim për këtë”.
I rikthyer nga një dëmtim së fundmi, Depay hyri në lojë në pjesën e dytë për të ndezur sulmin derisa holandezët shënuan dy gola në fund për të mposhtur Senegalin, 2:0. Edhe pse Depay pritet të jetë sërish rezervist, ai shpreson që trajneri Louis van Gaal t'i japë një vend titullari. 28-vjeçari Depay luajti rol të madh për të ndihmuar Holandën të kualifikohej, duke shënuar 12 gola dhe duke bërë gjashtë asistime. Asnjë lojtar tjetër evropian nuk kishte më shumë gola dhe asistime së bashku.
“Ai është lojtar që mund të bëjë diferencën”, tha Van Gaal. “Ai do të dëshirojë të luajë, por unë duhet të vlerësoj formën e tij”.
Edhe
Gakpo i destinuar për gjëra të mëdha pas shpërthimit në Botëror
Depay ka rritur presionin për të startuar sepse i duhet edhe një gol për të arritur shifrën e 43 golave ndërkombëtarë. Kjo do ta vendoste atë para sulmuesit Klaas-Jan Huntelaar që ka po ashtu 42 gola për Holandën. Depay nuk është shumë larg rekordit të Robin van Persie prej 50 golave.
Dy golat e parë të Depayt për Holandën erdhën në Kupën e Botës 2014 në Brazil, ku Valencia gjithashtu shënoi dy herë. Asnjëri sulmues nuk luajti në Kupën e fundit të Botës, sepse përfaqësueset e tyre nuk arritën të kualifikoheshin.
Rrugës drejt këtij Botërori, forma e tyre në klube ka ndryshuar shumë. Valencia ka qenë në formë të shkëlqyer me 13 gola në 12 ndeshje në ligë për skuadrën turke Fenerbahçe. Problemi i Depayt në kofshë e mbajti jashtë për dy muaj dhe ai luajti vetëm tri ndeshje për Barcelonën përpara se të shkonte në Katar.
Nëse Depay nuk është mjaftueshëm i aftë për të filluar ndeshjen, atëherë Van Gaal ka besim se mund të mbështetet te Cody Gakpo, i cili shënoi kundër Senegalit. 71-vjeçari Van Gaal tha para turneut se besonte që skuadra e tij mund ta fitojë më në fund Kupën e Botës, pasi humbi tri finale. Por ai pret një paraqitje më të mirë të premten sesa në fitoren hapëse.
“Ne vetëm mund të përmirësohemi dhe do të luajmë shumë më mirë ndaj Ekuadorit”, tha ai.
Portieri holandez Andries Noppert, i cili luan për Heerenveenin, bëri tri pritje kundër Senegalit në debutimin e tij ndërkombëtar. Ai pa dyshim do të jetë në aksion nëse Enner është në formë. Por Alfaro synon ta mposhtë Holandën për të bërë “hat-trick” të befasive në Botëror, pas humbjeve të Argjentinës dhe Gjermanisë.
“Është një ndeshje që supozohet se ne duhet ta humbim. Holanda është këtu për t'u bërë kampione bote, jo vetëm për të parë se sa larg mund të arrijë”, tha Alfaro të enjten. “Kjo na vendos në pozicionin ku nuk kemi asgjë për të humbur. Jam i bindur në paraqitje të mirë, duke pasur parasysh atë që kemi treguar deri tani. Ne duhet t'i largojmë ata nga loja e tyre”.
Edhe
Ekuadori e Senegali luajnë ndeshje vendimtare
Mesfushori i Ekuadorit, Jhegson Mendez, është dakord me trajnerin e tij.
“Në Kupat e Botës ndonjëherë favoritët mund të humbasin dhe ne do ta përdorim këtë për ndeshjen e ardhshme”, tha mesfushori. “Ne kemi pritshmëri të mëdha”.