Sport

Dubai zyrtarizohet në Ligën e Adriatikut në basketboll

Ashtu si pritej, Dubai prej të martës është pjesë e Ligës së Adriatikut në basketboll (Liga ABA).

Liga regjionale, që vazhdon të mbyllë dyert për klubet kosovare, të martën hapi dyert për miliona eurot nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Vendimin që ekipi i basketbollit nga Dubai të jetë në Ligën ABA u mor të martën nga klubet e kësaj lige, përkatësisht nga Asambleja.

Media të ndryshme nga regjioni kanë raportuar se nëntë klube votuan pro, ndërsa vetëm Partizani i Beogradit ishte i përmbajtur në votim. Buduqnosti i Podgoricës nuk mori pjesë në takim.

Në fakt një javë më parë ishte diskutuar në asamblenë e Ligës ABA për përfshirjen e ekipit nga Dubai. Mbeti për këtë të martë që vendimi të finalizohet dhe kjo ndodhi. Klubet kishin kërkuar ofertë më të fuqishme financiare, që është realizuar nga arabët.

Dubai pretendon që shpejt të bëhet pjesë edhe e Euroligës.

“Basketnews.com” ka shkruar se Dubai do të kontribuojë me 2.5 milionë euro çdo vit për Ligën ABA dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit për skuadrat e tjera për ndeshjet në Dubai. Marrëveshja është e vlefshme për tre vjet, ndërsa fillon prej edicionit të ardhshëm.

Liga ABA zhvillohet prej vitit 2001, ndërsa ndikimi serb në të është shumë i madh. Për këtë vazhdon të jetë e paarritshme për klubet kosovare të basketbollit, me gjithë interesimin. Ka disa vjet që zhvillohen dy nivele të Ligës ABA, ku ka ekipe cilësore nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në edicionin e ri me BC Dubai si anëtar, Liga ABA do t’i ketë 16 skuadra.

Se Liga ABA vazhdon të jetë shumë larg klubeve kosovare e ka konfirmuar të hënën edhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu. Liga ABA shtrihet pikërisht në territorin ku është Kosova, por pa Kosovën.

“ABA Liga është ligë private e themeluar tashmë nga 11 klube pjesëmarrëse, nga të cilat katër janë nga Serbia dhe një është nga Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës. Prandaj, marrë parasysh pengesat që shteti serb vazhdon t’ua bëjë të gjitha aktiviteteve ndërkombëtare sportive të Kosovës, pjesëmarrja e ekipeve tona në këtë ligë është mision i pamundur”, ka thënë për KOHËN, Fetahu, të hënën.

“Përkundër kësaj, edhe federata e edhe klubet tona kanë bërë përpjekje në të kaluarën për të siguruar pjesëmarrjen në këtë ligë, që ka ftuar edhe klube të tjera jashtë rajonit për t’u shërbyer interesave të veta. Përpjekjet tona ishin të pasuksesshme. Përderisa kemi gatishmëri për të qenë pjesë e kësaj lige, e madje edhe jemi të bindur që ekipet tona do të ishin mjaft konkurrente të forta në të, pjesëmarrja jonë në këtë ligë private e të dominuar nga ekipet serbe është për momentin e pamundur”, ka pranuar Fetahu.

Liga ABA është liga më cilësore regjionale në basketbollin evropian.