Liga ABA po e zhvillon edicionin e radhës dhe po i finalizon planet shumë ambicioze për zgjerim. Prej edicionit të ardhshëm 2024/2025, Liga ABA, e njohur edhe si Liga e Adriatikut në basketboll, pritet të ketë në radhët e veta edhe një ekip nga Dubai. Bëhet fjalë për Dubai BC, që ka milionat në dispozicion dhe synon të futet fuqishëm në “tregun” evropian të basketbollit. Dubai BC pritet të bëhet pjesë edhe e Euroligës, por fillimisht fokusi është te Liga ABA.
Liga ABA ekziston prej vitit 2001. Po zhvillohet edicioni i 22-të i ligës cilësore regjionale të basketbollit ku paraqiten skuadrat më të mira nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia e Sllovenia. Në nivelin e parë aktualisht nuk ka skuadra nga Maqedonia e Veriut, por ka në nivelin e dytë të Ligës ABA.
Por as në nivelin e parë e as në nivelin e dytë nuk ka skuadra të basketbollit nga Kosova. Nuk ka pasur ndonjëherë, ndonëse liga gjeografikisht ka shtrirje në territorin ku bën pjesë edhe Kosova. Ka një shpjegim për këtë – ndikimi shumë i madh i serbëve në këtë ligë regjionale. Ndikimi i serbëve sa shkon e rritet, kështu që gjasat që Kosova të bëhet pjesë e kësaj lige në vitet e ardhshme thuajse nuk ekzistojnë.
Në të kaluarën ka pasur përpjekje nga Kosova për t’u bërë pjesë e Ligës së Adriatikut. Por nuk ka pasur ndonjë rezultat.
“ABA Liga është ligë private e themeluar tashmë nga 11 klube pjesëmarrëse, nga të cilat katër janë nga Serbia dhe një është nga Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës. Prandaj, marrë parasysh pengesat që shteti serb vazhdon t’ua bëjë të gjitha aktiviteteve ndërkombëtare sportive të Kosovës, pjesëmarrja e ekipeve tona në këtë ligë është mision i pamundur”, ka thënë për KOHËN, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, të hënën.
“Përkundër kësaj, edhe federata e edhe klubet tona kanë bërë përpjekje në të kaluarën për të siguruar pjesëmarrjen në këtë ligë, që ka ftuar edhe klube të tjera jashtë rajonit për t’u shërbyer interesave të veta. Përpjekjet tona ishin të pasuksesshme. Përderisa kemi gatishmëri për të qenë pjesë e kësaj lige, e madje edhe jemi të bindur që ekipet tona do të ishin mjaft konkurente të forta në të, pjesëmarrja jonë në këtë ligë private e të dominuar nga ekipet serbe është për momentin e pamundur”, ka pranuar Fetahu.
Në aspektin sportiv ABA Liga do të ishte shumë e mirëseardhur për basketbollin kosovar. Në vendet e regjionit basketbolli është shumë i zhvilluar. Rrjedhimisht skuadrat kosovare do të takoheshin me skuadra të fuqishme dhe kjo do të ndikonte në ngritjen e cilësisë së mëtejme. Klubet kosovare tashmë investojnë sa investojnë thuajse gjysma e klubeve të nivelit të parë në Ligën ABA e më shumë se klubet e nivelit të dytë. Për nivelin e dytë të Ligës ABA, klubet kosovare do të ishin konkurente mëse të denja, por me shumë mundësi edhe për klubet e gjysmës së poshtme të tabelës në nivelin e parë.
Megjithatë Liga ABA sa shkon e largohet me Kosovën.
Mediumi i fuqishëm kroat “Index” të hënën ka publikuar një shkrim të gjatë për atë se si serbët po e rrisin ndikimin në Ligën ABA.
“Serbët duan që Ligën ABA ta bëjnë të tyren dhe që të marrin të gjitha paratë arabe”, është titulli i shkrimit. Të martën është Asambleja e Ligës ABA, në të cilën pritet të merret vendimi për pranimin e klubit nga Dubai. Sipas “index.hr”, lobi serb po kërkon që të hiqet formula e prezantimit nacional. Kjo do të thotë që Kroacia në të ardhmen mund të mos i ketë tri klube të rezervuara në ligë. Kështu mund të nisë një dominim i mëtejmë i klubeve serbe, ndërsa po bëhet presion që klubet nga Serbia të marrin shumën më të madhe nga milionat e arabëve. Sidomos Partizani dhe Crvena Zvezda kërkojnë hise më të madhe në paratë që Dubai do t’i paguajë për t’u bërë pjesë e ligës regjionale të Adriatikut.
Liga e Adriatikut ishte themeluar në Zagreb në vitin 2001, ndërsa serbët nuk ishin themelues të saj. Cibona, Olimpija e Lubjanës, Bosna dhe Buduqnosti i Podgoricës ishin klubet themeluese. Shpejt u bashkua edhe Zara. Në edicionin e parë nuk kishte klube serbe. Cërvena Zvezda u bashkua prej edicionit të dytë, ndërsa Partizani i Beogradit prej të tretit. Dy klubet beogradase janë superfuqi basketbolli dhe luajnë në Euroligë. Dhe Partizani e Zvezda, që financohen nga shteti serb, kanë kontrollin edhe në Ligën ABA.
Liga regjionale në basketboll janë formuar edhe në pjesë tjera të Evropës. Zhvillohet edhe Liga Ballkanike, por që ëhstë nivel plotësisht inferior krahasuar me ABA Ligën. Pjesë e Ligës Ballkanike janë vetëm pesë skuadra, dy prej tyre nga Kosova. Dy skuadra janë nga Mali i Zi, mesatare, e një nga Qipro.
Peja e Sigal Prishtina janë në Ligën Ballkanike. Vjet Prishtina ishte në ENBL, tjetër ligë regjionale, por u përjashtua pasi nuk kreu obligimet. U përjashtua pa nisur edicioni aktual.
Liga Unike ishte tjetër iniciativë që për qëllim kishte zhvillimin e mëtejmë të basketbollit. Përfshinte katër ekipe nga Kosova e katër nga Shqipëria. Por u ndërpre në vjeshtën e vitit 2022 pasi nuk kishte gatishmëri të ekipeve nga Shqipëria. Do të vazhdojë më vonë këtë muaj në formë turneu.
Liga ABA është nivel krejt tjetër megjithatë. Por me ndikim të madh serb dhe kështu pa Kosovën e me Dubain pjesë të saj.