Skuadra e Dritës ka njoftuar të martën se derbi ndaj Gjilanit do të luhet pa praninë e shikuesve. Në njoftimin e Dritës, thuhet se me vendim të prerë nga Stacioni Policor në Gjilan është urdhëruar që ndeshje të luhet pa asnjë pjesëmarrës në tribuna.
Derbi mes Dritës dhe Gjilanit zhvillohet të mërkurën në stadiumin me bari sintetik prej orës 15:00 dhe i takon xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll.
Drita gjithashtu ka bërë të ditur se kishte kërkuar që ndeshje të luhet të paktën me praninë e fëmijëve të shkollës së saj të futbollit, por edhe kjo kërkesë është refuzuar me arsyetimin e mungesës së infrastrukturës dhe sigurisë.
“Njoftojmë të gjithë sportdashësit, veçanërisht tifozët tanë ‘Intelektualët’ se me vendim të prerë nga Stacion Policor në Gjilan jemi urdhëruar që ndeshja derbi FC DRITA - SC Gjilani të zhvillohet pa asnjë pjesëmarrës në tribuna. Klubi ynë ka bërë përpjekje që ndeshja të zhvillohet të paktën me prezencë të fëmijëve të shkollës sonë të futbollit, sepse kemi konsideruar që ata nuk përbëjnë rrezik për ndonjë incident dhe pjesëmarrja e tyre vetëm sa do t'ia shtonte bukurinë derbit. Por, kërkesa jonë nuk është aprovuar me arsyetimin e policisë se për shkak të infrastrukturës jo të përshtatshme dhe sigurisë në stadiumin ndihmës ndeshja duhet të zhvillohet pa tifozë. Policia kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, ndërsa ne si klub shprehim keqardhje për mungesën e tifozëve dhe kërkojmë po ashtu mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Drita ka paralajmëruar se nëse në derbin e radhës nuk merret ndonjë nismë për t’i kthyer tifozët, atëherë do të marrë në konsideratë ndërrimin e stadiumit vetëm që ta ketë përkrahjen e “Intelektualëve”.